Një zjarr në kampin e punëtorëve në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, ka lënë të vdekur të paktën 13 vetë, bëjnë të ditur zyrtarët.
Zjarri ra pasditen e së premtes në zonën Mukharqa të qytetit, në një kamp punëtorësh 3-katësh, ku strehoheshin punëtorë aziatikë.
Disa prej banorëve u shpëtuan. Një hetim mbi shkakun e rënies së zjarrit ka nisur.
Si gjithë shtetet e tjera të gjirit, ekonomia e Bahreinit mbështetet fuqishëm te punëtorët e huaj.
Një prej punëtorëve të shpëtuar u plagos kur çatia e ndërtesës u shemb, pas zjarrit të së premtes, bëri të ditur Ministria e Brendshme.
Shtetësia e atyre që ndërruan jetë është ende e paqartë.
“Në atë ndërtesë ishin 28 dhoma, nga të cilat 3 janë të zëna nga shtetas pakistanezë dhe pjesa tjetër nga shtetas të Bangladeshit”, tha një banor i ndërtesës për Reuters.
Sipas censusit të 2010-s, janë mbi 660 mijë të huaj, që jetojnë në Bahrein, pjesa më e madhe e të cilëve janë aziatikë. Numri total i popullsisë është 1,23 milionë.
Top Channel