Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli e ka shndërruar festimin në Tropojë të 22 vjetorit të krijimit të forcës së parë opozitare në vend, në nisjen e fushatës elektorale për këtë zonë, bastion të demokratëve.
Zonja Topalli promovoi atje sloganin e Partisë Demokratike “Ne jemi ndryshimi-Përpara!”, që në shpjegimin e saj do të thotë se në zgjedhjet e 23 qershorit shqiptarët do t’i besojnë sërish PD-së qeverisjen e vendit.
Jozefina Topalli shprehu besimin se me votën e tyre të lirë, shqiptarët do të vendosin në këto zgjedhje rrëzimin e murit të bllokimit për integrimin europian të vendit, që ajo e cilësoi si pritën e fundit të pabesë të Edi Ramës kundër shqiptarëve.
“Partia Demokratike shkon në zgjedhje me premtime të mbajtura, duke kërkuar besimin e qytetarëve për një mandat tjetër, gjatë të cilit do të realizohet projekti i Shqipërisë vend i zhvilluar”, tha Topalli.
Kryetarja e Parlamentit shprehu bindjen se me zgjedhjet e 23 qershorit do të fitojnë shqiptarët, pasi, siç tha ajo, “kur fiton Partia Demokratike, fiton Shqipëria”.
Top Channel