Opozita akuzoi të premten ministrin e Financave se ka sajuar arsye të
paqena për të justifikuar vonesën në dhënien e pagave të muajit dhjetor.

Sipas deputetes Eglantina Gjermeni, Qeveria nuk ka para dhe ka marrë borxhe me interesa të larta për të bërë likujdimet.

“Ministri Bode iu përgjigj të enjten akuzave të Partisë Socialiste për vonesën në pagesën e rrogave të administratës si të kishte qenë sportelist i ndonjë banke. Ridvan Bode u përpoq njëherë të na mbushte mendjen se rrogat ishin bllokuar sepse nuk kishte hyrë në fuqi buxheti, herën tjetër duke ia vënë fajin Thesarit të Shtetit që paskësh bllokuar pagesat, derisa mbërriti te justifikimi, sipas të cilit fajin e paskeshin institucionet që nuk kanë dërguar në kohë listëpagesat. Ne nuk e vëmë fare në dyshim se institucionet e drejtuara nga militantët e partive në pushtet janë të paafta, por e vërteta e kësaj vonese është krejt tjetër arka e shtetit është bosh dhe qeverisë iu desh të marrë borxh me interesa të larta për të arritur të paguajë rrogat. Madje edhe sot, kur ka kaluar plot një e treta e janarit, rrogat janë paguar vetëm pjesërisht”, tha Gjermeni.

Top Channel