Ngjarja shokuese e dëmtimit, me gjasa të vjedhjes së afreskeve të
Onufrit të disa ditëve më parë në Kishën e Shën Premtes në krahinën e
Shpatit në Elbasan, ka mbledhur në protestë përpara Ministrit të
Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësues të Forumit për Mbrojtjen e
Trashëgimisë Kulturore dhe shoqërisë civile.
Ata akuzuan këtë Ministri për mbajtjen në heshtje të ngjarjes së shëmtuar dhe mosmarrje të përgjegjësisë për mbrojtjen e objekteve të trashëgimise kulturore.
“Jemi shumë të shqetësuar edhe nga dorëheqja që Ministria bën ndaj mbrojtjes së monumenteve të kulturës, edhe ndaj dorëheqjes që Ministria bën për të informuar qytetarët dhe taksapaguesit që i mbajnë me rroga këta njerëz që kemi në shpinë, kështu që kemi vendosur që në mënyrë vullnetare të bëjmë edhe deklaratat e shtypit që i takon të bëjë Ministria. Ky është hapi ynë i parë dhe më vonë, në mënyrë vullnetare do të shkojmë të bëjmë edhe mbrojtjen e monumenteve dhe në mënyrë vullnetare do t’i largojmë këta njerëz nga vendet ku rrinë këtu dhe do t’i zëvendësojmë me njerëz të tjerë, të cilët e marrin përsipër, qoftë informimin e publikut, qoftë mbrojtjen e monumenteve të kulturës, të cilën e kanë për detyrë ligjore dhe shtetërore”, thotë Artan Shkreli.
“Eshtë i papranueshëm qëndrimi i Ministrisë së Kulturës, në kuptimin, që tërhiqet ndaj problematikës së mbrojtjes së monumenteve të Kulturës, ndërkohë që ai është një qëndrim dhe një detyrim kushtetues i këtij institucioni. Ne jemi këtu në fakt për të inkurajuar marrjen në dorë të fateve të trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e institucioneve të shtetit për të kryer detyrën e tyre që është detyrë kushtetuese”, thotë Lorenc Bejko.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe anëtar i Forumit për Trashëgiminë Kulturore, Auron Tare bëri thirrje për dorëheqje të ministrit Bumçi dhe Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore.
“Kërkojmë dorëheqjen e të gjithë njerëzve përgjegjës për këtë masakër, duke nisur nga ministri i Kulturës, Drejtori i Trashëgimisë dhe të gjithë sistemit tjetër përgjegjës që ka të drejtën e ruajtjes së këtyre monumenteve, siç ia kërkon ligji detyrimin që e kërkon ligji dhe i kërkojmë dorëheqjen e tyre si një gjest që të vendoset një lloj kriteri i pagimit të përgjegjësive, sepse këtu në këtë vend nuk merr asnjë përgjegjësi”, tha Tare.
Një thirrje u bë për përgjegjësit kryesorë të kësaj ngjarjeje, ose më saktë, për ata të papërgjegjshëm që e kryen atë.
“Të tilla objekte nuk kanë treg. Po ju bëj thirrje atyre që i kanë marrë më mirë t’i kthejnë atje ku i kanë marrë, sepse do të shkatërrohen objektet duke i çuar nga një vend në tjetrin, sepse ato nuk mund të shiten”, thotë Artan Lame.
Një orë pas protestës, ministri i Kulturës Aldo Bumçi doli në një konferencë për shtyp, ku e cilësoi si një pseudoforum Forumin e Trashëgimisë Kulturore, i cili sipas tij ka vetëm qëllime politike. Pasi bëri një diferencë mes fondeve të dhëna ndër vite për trashëgiminë kulturore mes qeverisjes së mëparshme socialiste dhe asaj aktuale demokrate, zoti Bumçi foli për rolin e Ministrisë në varesi te tij, ne mbrojtje te trashegimise dhe bashkepunimin e nevojshem per ruajtjen e saj.
“Institucioni, me të gjithë institucionet e varësisë është në punë, në krye të detyrës, në mbrojtje të trashëgimisë, për ta promovuar, për ta restauruar duke rritur fondet, duke kërkuar donatorët që të vijnë të investojnë. Mbrojtja nga keqbërës që thyejnë natën për ta vjedhur është një mbrojtje e një lloji tjetër, me një kosto financiare shumë të madhe. Po shikojmë se cila alternativë është më e lehtë. Po shikojmë gjithashtu edhe një bashkëpunim me dy aktorë të tjerë. A janë këto pasuri? Këto pasuri janë diku në tokë, në komuna dhe bashki. Në rastin konkret kishim të bënim me një kishë, por a ka përgjegjësi edhe ky komunitet e çdo komunitet për të mbrojtur kishën, xhaminë, teqenë e tij? Pra kërkon energji të shumëfishta për të krijuar një sinergji”, tha Bumçi.
Sipas zotit Bumçi po punohet per te llogaritur kostot per nje vendosje te mundshme te rojeve prane objekte te tilla dhe kategorizimin e kishave sipas rendesise se vlerave artistike qe ato mbartin. Sa i perket zbardhjes se ngjarjes ne kishen e Shen Premtes, eshte ngritur nje grup pune, por ende nuk behen te ditura zhvillimet e tij.
Top Channel