“Nuk kam vërejtur kurrë diçka jo normale, që ndodhte përreth Bari-t, në kohën kur kam qenë trajner i atij ekipi”.
Është kjo dëshmia e dhënë nga Antonio Conte, trajner aktual i Juventus-it, përpara hetuesve puljezë në lidhje me hetimin për bastvëniet e jashtëligjshme. Trukimet e supozuara kanë ndodhur gjatë sezoneve 2007-08 dhe 2008-09.
Më pas, Conte ngre zërin: “Nëse do të kisha ditur diçka rreth ndeshjeve të trukuara, do t’i kisha këputur kokën lojtarëve të mi”.
Conte është marrë në dëgjim nga hetuesit, më 6 shtator të vitit të kaluar. Faktet, mbi të cilat prokurorët i kanë adresuar pyetjet, me një raport verbal me 94 faqe, i referohen disa ndeshjeve të Bari-t në kampionatet 2007-08 dhe 2008-09, kur Conte ishte trajner i bardhekuqve.
Për këto, si dhe dy ndeshje të tjera të konsideruara të trukuara, Prokuroria e Barit u ka njoftuar 33 personave, mes të cilëve 27 futbollistë, pothuajse të gjithë ish-lojtarë të Bari-t, përfundimin e hetimeve për mashtrime sportive.
Në veçanti, hetuesit e kanë pyetur Conte-n në lidhje me trukimet e supozuara të Salernitana-Bari, 23 maj 2009, dhe Bari-Treviso, 10 maj 2008, të shitura përgjithësisht, sipas Prokurorisë, nga futbollistët bardhekuq, në këmbim të 220 mijë eurove.
Në lidhje me Salernitana-Bari, Conte ka referuar vetëm “binjakëzimin” mes tifozerive. “Anomalia e vetme që kam vërejtur, ka qenë fakti që kur Salernitana shënonte, tifozët e këtij ekipi përqafoheshin me ata të Bari-t”. Ndërsa sa i përket Bari-Treviso “nuk jemi impenjuar, edhe për shkak se ishim të shpëtuar, edhe sepse te Treviso luanin shumë ish-lojtarë të Bari-t”.
“Është një turp, – thotë Conte përpara hetuesve. – Nëse do të dija diçka të tillë, do ua kisha këputur kokën lojtarëve të mi, njëri pas tjetrit”.
Top Channel