Babai i Denis Alimadhit takon Kryeprokurorin

11/01/2013 00:00

Familjarët e Denis Alimadhit, 11-vjeçarit që humbi jetën pas një
ndërhyrjeje estetike në kapakët e syve në QSUT-të, i kërkuan të premten
Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ekspertizë ndërkombëtare.

Fatmir Alimadhi, babai i vogëlushit ka kërkuar nga kreu i akuzës shqiptare të zbardhet e vërteta, që sipas tij po vonon.

“Sa i takon përgjigjes nga ana e laboratorit ka të dhëna që ne na krijojnë shqetësim. Meqë ekspertiza mjeko-ligjore nuk është në gjendje të japë rezultatin e saj nëpërmjet hemoglobinës së urinës, ne kërkojmë që kjo analizë të bëhet në laboratorët më të mira në Evropë. Kërkojmë ekspertizë ndërkombëtare që të dalë e vërteta. Nuk është problemi vetëm për Denisin. Ne kemi një amanet të Denisit që të zbardhim të vërtetën. Ky amanet nuk na përket vetëm ne, por troket në shpirtin e të gjithëve. Me këtë do i dërgojmë mesazh të gjithë opinionit shoqëror, se ne nuk e ndjekim vetëm për të drejtën tonë, por do dëshironim që fatin e Denisit të mos e ketë fëmijë tjetër në Shqipëri, pasi jeta është shumë e shtrenjtë”,- u shpreh Fatmir Alimadhi pas takimit me Kryeprokurorin Llalla.

Nëntorin e vitit të kaluar, 11-vjeçari Denis Alimadhi gjeti vdekjen në një nga sallat e operacionit të spitalit të ORL-së, në QSUT. Ai po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy, për shkak të një problemi të lindur që kishte me qepallat. Në momentin që i është injektuar anestezia, vogëlushi ka shfaqur komplikacione, temperatura trupore ka arritur në 43 gradë dhe zemra e tij ka pushuar brenda pak minutash. Mjekët kanë deklaruar se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur për shkak të një komplikacioni të lindur, i njohur si hipertermi malinje, një sëmundje kjo tepër e rrallë dhe që shfaqet në momentin që pacienti i nënshtrohet anestezisë. Nga ana tjetër, familjarët e 11-vjeçarit kanë akuzuar mjekët se e kanë lajmëruar për humbjen e djalit rreth 6 orë më pas, ndërkohë që këmbëngulin se spitali nuk kishte antipiretikun që do të ndihmonte në uljen e temperaturës tepër të lartë të djalit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB