Akuzat për “pallatin e Lindës”

11/01/2013 00:00

Pas publikimit nga PD të fotos së një ndërtesë
pesëkatëshe, e identifikuar prej demokratëve si pallat i Linda Bashës,
bashkëshortes së kryetarit të Partisë Socialiste, Partia Demokratike njoftoi mediat se
banorë të lagjes, afër Institutit Higjieno-Sanitar, ku ndodhet ndërtesa,
do të ngrinin zërin për ngritjen e saj në një zonë që dikur ishte
lulishte.

“Eshtë një objekt i ndërtuar në një lulishte, që ka shërbyer për banorët dhe fëmijët. Mesa dimë, leja nuk është zbardhur akoma, unë mendoj që lulishtja t’i kthehet banorëve”, thotë një banor.

Edhe një qytetar tjetër shfaqi shqetësim për ndërtesën, por ndërsa ai fliste, disa banorë të tjerë ndërhynë duke treguar se vendi ku ishte ngritur ndërtesa ishte pronë e familjes Basha.

Në vendngjarje mbërriti pak më vonë edhe xhaxhai i Linda Bashës, i cili shpjegoi sesi godina ishte ngritur në atë vend.

“Menjëherë me ndërrimin e sistemit, shtëpia e vjetër u prish dhe me kthimin e pronave gëzuam të drejtën e pronës sonë. Konform rregullave dhe ligjit kërkuam nxjerrjen e lejes së ndërtimit, në vitin 2006”, thotë xhaxhai i Linda Bashës.

Zoti Basha, i cili thotë se gjithçka është bërë me dokumenta të rregullta dhe sipas proçedurave ligjore tregon edhe se kush janë pronarët e kësaj godine, që është ai dhe nipi i vet.

“E përsëris me përgjegjësi të plotë se ky pallat është, gjysma e pronës e Hasan Bashës dhe gjysma e nipit tim”, ka thënë zoti Basha. 

PD: Rama të japë sqarime

Partia Demokratike ka shënjestruar sërish gjatë pasdites së të premtes pallatin që sipas saj është ndërtuar për llogari të bashkëshortes së kreut të PS.

PD ka kërkuar nga zoti Rama dhe familjarët e tij të mos përgjigjen me agresivitet ndaj qytetarëve, të cilëve pallati i gruas së tij u ka zënë diellin, por t’u sqarojnë shqiptarëve një sërë çështjesh të parashtruara nga zëdhënësja Laura Vorpsi.

“Një, si u kthye sheshi mes pallateve ku luajnë fëmijët dhe që siguronte largësinë e duhur mes ndërtesave në truall për ndërtimin e pallatit të Linda Bashës?

Dy, a është përvetësuar ndonjë metër tokë shtetërore në rastin e pallatit të bashkeshortes suaj?

Tre, sa leje ndërtimi keni lëshuar për pallatin e gruas suaj dhe a keni qenë në konflikt interesi kur ju keni firmosur si kryetar bashkie lejen e ndërtimit apo të shfrytëzimit për këtë pallat?

Katër, a janë respektuar kushtet ligjore e urbanistike në lëshimin e lejes së ndërtimit dhe ndërtimin e këtij pallati?

Pesë, cilët janë investitorët dhe pronarët e këtij pallati dhe me çfarë parash është ndërtuar ai?

Gjashtë, a ka lidhje ky pallat me qindra milionë lekë që lëvizin kesh në formë huaje pa interes nëpër duart tuaja dhe të bashkëshortes tuaj?”, ka deklaruar Vorpsi.

“Urojmë, zoti Rama, që të përgjigjesh më shpejt për këto pyetje sesa për anonimin marrës apo dhënës të kredisë pa interes të gruas suaj Lindita Basha! Mesa duket, keni harruar të dy se cili është”, ka përfunduar ajo apelin ndaj kreut të PS. 

Top Channel