Opozita reagoi sërish përmes deputetes Eglantina Gjermeni lidhur me
mosdhënien e pagave për nëpunësit e administratës shtetërore.

“Sali Berisha u hoq dje si i indinjuar pas denoncimit të Partisë Socialiste, se Qeveria që ai drejton nuk ka para për të paguar as rrogat e administratës, as pagesat e aftësisë së kufizuar e madje as kompensimin e energjisë elektrike për shtresën e personave me aftësi të kufizuar. Por ende sot, në datë 10 janar, kur ka kaluar një e treta e muajit, rreth 90 000 mjekë, infermiere, mësues e punonjës të administratës publike nuk kanë marrë rrogën për muajin dhjetor. Para dhe tetraplegjikët nga ana tjetër kanë muaj të tërë që janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria e Sali Berishës  i cili vazhdon të tallet me shqiptarët duke deklaruar se jemi të katërtët në botë për mirëqenie dhe se hahemi kokë më kokë me Gjermaninë për rritje ekonomike.Në 23 qershor shqiptarët me votën e tyre do i japin jetë një rilindjeje shqiptare e cila do të ketë në fokus të saj qytetarët;ku vendosja e taksimit të ndershëm do të ulë barrën fiskale për nëpunësit publikë që sot si pasojë e taksës së sheshtë paguajnë më shumë taksa sesa vetë kryeministri”, tha Gjermeni.

Pagat, reagon Ministria e Financave

Pas deklaratave të Partisë Socialiste për mosmarrjen e pagave nga punonjësit e administratës shtetërore, reagoi Ministria e Financave, e cila e cilëson një zhurmë të opozitës.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave thotë se ka nxjerre “udhëzimin nr.1”, në datën 3 janar, ku ka bërë çeljen e plotë të fondeve për të gjitha institucionet.

“Deri me sot kanë vijuar pagesat sipas grafikut normal të te gjitha institucioneve buxhetore. Çdo vonesë e mëtejshme ka të bëjë vetëm me procedurën që kryejnë vetë institucionet buxhetore për disbursimin e pagesave”, thuhet në deklarate.

Ministria e Financave thekson se të gjithe të interesuarit, në vend të deklarimeve shpifese, t’i referohen të dhënave për pagesa, të cilat publikohen çdo ditë në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

Top Channel