Cfarë ndodh sot me prindërit e të ndjerit që banojnë vetëm pak metra larg nga vendi i ngjarjes. Zoti Mehmet Spahiu jeton çdo ditë me të njëjtën dhimbje si ditën e parë.
“Kjo është një tragjedi shumë e rëndë. Ishte mundësia e shpëtimit. Ashtu siç shpëtoi vajza e vogël, duhet të kishin shpëtuar edhe të mëdhenjtë”, shprehet Mehmeti.
Ai është përfshirë në një betejë ligjore me repartin e zjarrfikësave dhe është i vendosur për drejtësi: “E jona është djegie shpirtërore, e pashërueshme. Unë dhe ime shoqe nuk ngushëllohemi dot. Dua që të zbardhet ngjarja.”
Ende është e freskët në memorien e tij dinamika e asaj tragjedie familjare që mori 3 jetë njerëzish: “Mundësitë e shpëtimit ishin të shumta. Ka hyrë vetëm një polic në shtëpi. Po të kishin qenë më shumë, do të ishte shpëtuar e gjithë familja. Ai nxorri vajzën e vogël dhe e zbriti poshtë dhe nuk u ngjit më.”
E vetmja e mbijetuar e asaj fatkeqësie ishte Dea e vogël, vetëm 2 vjeç. Babai i saj e mbuloi me trup mes flakësh deri sa mbërriti ndihma: “Mbesën tani e ka marrë djali i dytë që është në Gjermani. Është ambientuar me xhaxhain, të cilit i thotë “babi”.”
Deri më sot, gjithçka i faturohet një bombule e që nga ajo ditë dhe në shumë familje të tjera po bombula ka qenë shkaktare e fatkeqësive të ngjashme.
Bashkëshortja e zotit Spahiu sheh të shoqin nëpër dyert e gjykatave në dëshpërim për të vërtetën përfundimtare të ngjarjes: “Nuk i intereson njeriu të zbardhet e vërteta.”
Por, pas një drame të tillë, zgjimi në mëngjes duket shumë i vështirë: “Mundohemi ta harrojmë, por është e pamundur. E imagjinoj ngjarjen hap pas hapi.”
Zoti Spahiu pranon të na shoqërojë në këtë rikthim te vendi i ngjarjes. Afërmendsh, nuk ka qejf të shkelë këtu. Shtëpia, megjithë punimet që po kryhen, i ka të gjalla shenjat e djegjes.
Mendimi i tij fiks që e torturon çdo ditë e natë është fakti se mund të shpëtoheshin jetët njerëzore.
Të vdesësh në shtëpi, të humbasësh gjithçka e këdo sepse një bombul gazi është e vjetër apo për një shkëndijë elektrike, nuk është një betejë që mund të luftohet, as në mendjet e gjithësecilit e jo më në terren.
Top Channel