I konsideruar gjerësisht si talenti më i madh i futbollit brazilian, Neymar shtangu klubet e shumta europiane të interesuara për të, duke thënë të enjten se nuk është ende i gatshëm që të largohet nga Brazili.
20-vjeçari i Santos bëri këtë deklaratë nga një ceremoni në kryeqytetin uruguajan, Montevideo, ku iu dorëzua për të dytin vit radhazi çmimi i “Futbollistit më të Mirë të Vitit në Amerikën e Jugut”, për vitin 2012.
”Të gjithë më bëjnë gjithmonë të njëjtën pyetjen, se kur do të transferohem në Europë, por unë kam një kontratë me Santosin deri në 2014-n dhe dua ta respektoj atë. Mendoj se pas Botërorit do të ishte një moment i mirë për të bërë këtë zgjedhje kaq të rëndësishme për karrierën time”, u shpreh Neymar.
”Për mua, të luaj në një ekip europian është e rëndësishme, por është më e rëndësishme të fitoj titullin kampion i botës me Brazilin dhe ky është qëllimi kryesor në mendjen time për momentin”, shtoi ai.
I pyetur për fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, 20-vjeçari nuk ka dyshime se argjentinasi është “absolutisht më i miri në botë”. “Messi e ka merituar. Ai është me të vërtetë i pabesueshëm”, komentoi Neymar.
Top Channel