Është Juventus gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Italisë. Në Torino, bardhezinjtë mposhtin 2-1 Milan-in, pas kohëve shtesë. Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 5-të me El Shaarawy, i cili përfiton nga asisti i Boateng dhe driblon Storari-n.
Juventus barazon shifrat në të 12-tën, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Giovinco. Në kohët shtesë, goli i fitores shënohet nga Vucinic në të 95-tën. Në gjysmëfinale, skuadra e Conte-s do të përballet me Lazio-n.
Juve-Milan nisi menjëherë si një sfidë e vërtetë, me ritëm e intensitet. Ambrosini shënoi rastin e parë për kuqezinjtë në të 3-tën, ndërsa u kundërpërgjigj Giovinco. Të besuarit e Allegrit, pas një kalimi nga e majta e Boateng, shënojnë golin e parë të sfidës, me anë të “Faraonit”, goli i 17 sezonal i tij, duke heshtur stadiumin.
Megjithatë, bardhezinjtë rimarrin frenat në dorë dhe kërkojnë të shënojnë me Matri-n, Giaccherini-n e mbi të gjithë me Giovinco, në një ditë të mirë. Mexes e Acerbi nuk e ruajnë dot hapin e tij, i cili në të 12-tën merr përsipër një goditje dënimi nga limiti i zonës dhe barazon shifrat, pas një ekzekutimi perfekt.
Në pjesën e dytë asgjë nuk ndryshon. Juve sulmon, ndërsa Milan mbrohet dhe kundërsulmon. Mungon vetëm goli i fitores, por bardhezinjtë mendojnë më shumë për ndërhyrjet e ashpra, se sa për golin. Vucinic aktivizohet në vend të Giovinco-s, ndërsa Allegri hedh në fushë Bojan e Niang, në vend të Pazzini dhe Emanuelson.
Në kohët shtesë, ngjiten në katedër Giaccherini e Vucinic. Në të 95-tën, kjo dyshe kombinon nga mbrojtja në sulm dhe, falë edhe ndihmës së De Ceglie-s, malazezi kalon në avantazh bardhezinjtë. Gjithmonë ai, “macja e zezë” e kuqezinjve. “Juventus Stadium” shpërthen nga gëzimi.
Top Channel