
Aleanca Kuq e Zi ka vijuar sërish sot me atë që e ka cilësuar fushatën
për inaugurimin e mashtrimeve të shtetasit Sali Berisha. Stadiumi “Qemal
Stafa” ishte ndalesa e sotme e kuq e zinjve të cilët kanë prerë
shiritin e inaugurimit të stadiumit të munguar, por shumë të trumpetuar
nga kreu i qeverisë në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë.
Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuq e Zi, Rezar Balla, deklaroi se Aleanca Kuq e Zi po pret shiritin e stadiumit të ri kuq e zi që nuk u ndërtua nga qeveria. “Një stadium i premtuar nga Sali Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë, po që në jemi të bindur që premtimi i Sali Berishës nuk do të bëhej realitet as në vitin 2112 në 200-vjetorin e pavarësisë, sepse shqiptarët tashmë janë mësuar me mashtrimet elektorale të Sali Berishës. Me miliona euro u shpenzuan për projektin e stadiumit të ri kuqezi por asnjë euro për 1 tullë nuk është hedhur konkretisht”, deklaroi Balla.
Sipas tij Sali Berisha meriton “topin e zi të mashtrimeve” pasi me stadiumin e ri kuqezi ai mashtroi me mijëra tifozë. “Kjo nuk është çudi, madje do ishte çudi nëse stadiumi do të ndërtohej, sepse për 23 vjet Berisha nuk ndërtoi asnjë stadium në asnjë qytet të Shqipërisë, sepse ai i sheh stadiumet si sheshe për ndërtimin e pallateve, lokaleve dhe dyqaneve klientelistë”, deklaroi Balla.
Duke vijuar më tej Balla tha se Aleanca Kuq e Zi në programin e saj qeverisës për sektorin e sportit ka të programuar dhe detajuar ndërtimin e tre stadiumeve olimpike brenda 4-vjeçarit të parë të qeverisjes kuqezi.
Top Channel