Një nga rrugët nacionale ndër më të dëmtuarat është ajo që lidh Tiranën me Peshkopinë. Përveç disa pjesëve të ndërtuara si pjsë e rrugës së Arbrit, në shumicën e saj ky aks është jashtë çdo standarti.
Problematike në këtë rrugë nacionale janë segmentet Peshkopi-Shupenzë dhe Klos-Burrel. Drejtuesit e automjeteve shprehen të irrituar për rrugën, e cila është me gropa të mëdha.
“Ka vite që nuk i kanë vënë dorë kësaj rruge dhe sot po hedhin disa gurë, që është një katastrofë e madhe. Nuk e nivelojnë, vetem kap gurë e hidh brenda. Kjo është katastrofë dhe kjo rrugë vetëm probleme ka sjellë. Askush nuk i ka vënë dorë asaj”, thotë një udhëtar.
“Këtu është një katastrofë me rrugët që janë. E sjell makinen këtu nga Italia, pastaj kur unë shkoj në Itali më duhen 1000 euro për ta riparuar në servis”, shprehet një tjetër.
Prej vitesh përmendet e ashtuquajtura rruga e Arbërit, e cila do të shkurtonte distancat dhe do të krijonte mundësi zhvillimi për gjithë zonën. Ndërtimi me copa vazhdon prej vitesh dhe situata në rrugën e vjetër është gjithmonë e më shumë e rënduar.
Shkodër-Hani Hotit, 4 vjet ende në ndërtim
Ndërkohë, rruga tjetër nacionale Shkodër-Hani Hotit, me një gjatësi vetëm prej 35 kilometra, ka hyrë në vitin e katërt të ndërtimit dhe ende nuk ka përfunduar.
Në një vëzhgim të bërë gjatë këtij aksi, situata duket kritike për shkak të pjesëve të papërfunduara dhe vështirësive që krijohen për drejtuesit e automjeteve.
Rruga ditën është kthyer në një kosh mbeturinash dhe vend tregtimi të bagëtive, ndërsa nuk ka asnjë sinjalistikë, apo vijëzim që të krijojë kushtet e nevojshme të sigurisë për lëvizjen gjatë natës.
Gjatë kohës së ndërtimit në këtë aks kanë ndodhur aksidente me pasojë 10 viktima dhe 20 të plagosur. Pjesët e mbetura pa ndërtuar kanë konflikte në lidhje me pronësinë, çështje të cilën institucionet nuk e kanë zgjidhur ende.
Puna për ndërtimin e këtij aksi nisi më 17 dhjetor të vitit 2009 dhe duhet të përfundonte brenda një viti, afati u shty për në vitin 2011, por tashmë që viti 2013 ka hyrë rruga nuk ka përfunduar. Investimi po realizohet me financim të qeverisë italiane, me një vlerë prej 25.5 milionë euro.
Top Channel