‘9 janari’, vetëhelmohet motra e një prej viktimave

09/01/2013 00:00

Në përvjetorin e nëntë të tragjedisë së 9 janarit, ku 28 persona u
mbytën në ujërat e detit Jon, motra e njërit prej viktimavei dha fund jetës në të njëtën ditë si vëllai i saj. Në gjendje të
rënduar psikologjike Lena Grisha, motra e Marash Grishës, ka konsumuar
fostoksinë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e saj në Lezhë dhe pas ndihmës së parë mjekësore, Grisha është transportuar me urgjencë për në spitalin ushtarak në Tiranë, ku edhe ka nderruar jete. “Ai ka qenë fëmija më i mirë i familjes, edhe unë dua të vdes në një ditë me të”, kanë qenë këto fjalët e fundit të vajzës, sipas familjarëve.

Ndërkohë familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit, kanë kërkuar me forcë dënimin maksimal të autorëve të tragjedisë. Ata kanë kërcënuar me vetëflijim, nëse drejtësia nuk vihet në vend. Sipas tyre, në Shqipëri duhet t’i hapet rrugë drejtësisë me qëllim që funksionarët e lartë të shtetit të jenë të hetueshëm, të vihen përpara drejtësisë.

Nikollë Mhillaj, kreu i shoqatës “9 Janari”, u shpreh se strukturat e shtetit që organizuan këtë tragjedi në Karaburun në vitin 2004, edhe pse të identifikuar dhe të zbardhur nga dosjet hetimore, nuk kanë marrë ndëshkimin.

“Personat që u morën me organizimin e atij rrjeti trafiku klandestin, ishin pjesë e strukturave lokale dhe qendrore të shtetit të asaj kohe. Po këto persona bënë çdo gjë të paligjshme për të fshehur të vërtetën e një tragjedie të tillë dhe të pasojave të saj. Këto veprime arritën kulmin me zhdukjen e trupave të viktimave që në orët e para të 9 janarit 2004 në vendin e quajtur Gjiri i Dafinës, dhe familjarët e 8 prej viktimave të asaj tragjedie nuk kanë një varr ku të prehen eshtrat e tyre”, thuhej në deklaratën e familjarëve të viktimave.

Tragjedia ndodhi në afërsi të Vlorës në 9 janar të vitit 2004, kur një gomone me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. 20 prej viktimave u gjetën, ndërsa 8 rezultojnë ende të zhdukur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB