
Rene Van der Linden është i njohur në qarqet politike të Tiranës. Për
disa vite ai ka qenë raportues për Shqipërinë në Këshillin e Europës.
Është rikthyer në vëndin tonë si akademik për të udhëhequr programin e
dokorraturës në administrim biznesi në Institucionin e Arsimit të Larte
‘ISSAT’.
Në një intervistë për Top Channel Rene Van der Linden, ish-President i Senatit hollandez komenton qëndrimin refuzues të Hollandës në marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
“Është me shumë rëndësi plotësimi i kritereve të Kopenhagenit, pasi ne kemi parë disa vende si Bullgaria apo Rumania, të cilat u anëtarësuan para kohe në BE, gjë e cila krijoi një mori me kritika tek të gjithë vendet anëtare. Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë do të bazohet vetëm nëse meritohet atëherë kur të zbatohen kriteret e vendosura. Kjo nuk është dicka specifike që i kërkohet vetëm Shqipërisë. Po të shikoni, sot bazuar në meritë vendet anëtare mund ta mbajnë ose humbasin, statusin e vendit antar në atë që njihet si euro-grup. Për hir të ardhmes së BE-s ne duhet t’i përmbahemi rregullave strikte dhe marrëveshjeve mes vendeve anëtare”, tha ambasadori.
Rene Van der Linden thotë se Shqipëria duhet të bëjë kujdes me zgjedhjet e 23 qershorit.
“Do të doja t’i dërgoja një apel të fortë politikanëve dhe partive politike shqiptare të jenë të përgjegjshëm, përsa i përket procesit të zgjedhjeve. Problemet e shfaqura me zgjedhjet në të shkuarën vijojnë të dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë, kjo do të thellohet edhe më shumë, nëse do të vijojë sherri mes partive. S’ka asgjë të keqe nëse partitë kanë opinione të ndryshme apo zhvillojnë, një fushatë të fortë elektorale por nëse njëra palë fiton zgjedhjet dhe tjetra është kundra gjithckaje ose vise versa kjo nuk është rruga zhvillimit të vëndit dhe promovimit të interesave të qytetarëve”, theksoi ambasadori.
Në këndvështrimit e Der Linden nëse Shqipëria do të bëjë hapa pas në standardet e zgjedhjeve, atëherë e gjitha kjo do të ketë një kosto.
“Kostoja do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, gjë e cila thënë ndryshe do të dëmtojë këto marrëdhënie. Dua t’u them politikanëve shqiptarë, se ata janë përfaqësues të popullit duhet të marrin në konsideratë pasojat e sjelljes së tyre që lidhen me zgjedhjet dhe përtej kësaj që lidhen me vendin dhe qytetarët, u shpreh ambasadori.
Top Channel