
Partia Socialiste ka hedhur dyshime të forta se vajza e kryeministrit
Argita-Berisha Malltezi shfrytëzon pozitën shtetërore të babait duke u
dhënë konsulencë kompanive të cilat kërkojnë të investojnë në Shqipëri.
Deputeti Taulant Balla fillimisht dha shpjegime se ku konsiston influenca e Kryeministrit, e cila sipas tij, më tej përkthehet në konsulencë nga e bija, Argita.
“Rasti që do t’ju tregojmë është ai i një investitori të huaj, i cili është edhe konsull nderi i Shqipërisë në vendin e tij të origjinës. Ky mik i Shqipërisë erdhi në vendin tonë për të propozuar një projekt me rëndësi strategjike në fushën e energjisë. Takoi dhe Saliun dhe me marifet u gjet rruga e zakonshme që i çon investitorët nga zyra kryeministrore e babait – në zyrën e konsulencës së vajzës. Dhe këtu fillon odiseja rrënqethëse e zotërisë që erdhi në Shqipëri me një projekt zhvillimi dhe u tërhoq nga Shqipëria pas një korrespondence me Argita Berishën, kërkesat e së cilës ishin të papërballueshme”, tha Balla.
Sipas Taulant Ballës bëhet fjalë për investitorin pakistanez Zafar Ansar.
“A keni gjë për të thënë për konsulencën që i keni dhënë investitorit Zafar Ansar dhe për tërheqjen e tij nga investimi pas komunikimit me ju? Ne i presim këto përgjigje dhe balta që ju hidhni përditë ndaj opozitës me shpifje, me të cilat vetem mund te qeshesh, nuk ndihmon në sqarimin e publikut padyshim, po as nuk na jep ne mundësinë të kalojmë në temën tjetër të transparencës sonë. Sigurisht, ne nuk kemi pse të dyshojmë që praktika e ndjekur prej Argitës dhe babait të saj Kryeministër, në rastin e zotit Zafar Ansar, nuk është një praktikë standarde në punën fitimprurëse të familjes Berisha. Nga kjo praktikë duket qartë se familja e Kryeministrit është e mirëkoordinuar dhe fakti që tani të dy fëmijët e rritur të Saliut janë kthyer edhe në baltëhedhës ndaj opozitës e konfirmon këtë më së miri”, tha Balla.
Top Channel nga burime pranë PS-së ka mësuar se opozita prej kohësh disponon një dosje me dokumenta, përmes të cilës pretendohet se zyra e konsulencës e Argita Berishës për një kohë të gjatë ishte në bisedime me biznesmenin Zafar Ansar. Të njëjtat burime pohuan se dosja pritet të bëhet publike gjatë ditëve në vazhdim në kuadër të asaj që PS e quan transparencë e pasurive të bllokmenëve të ri blu.
Akuzat, reagon Argita Malltezi
Vajza e Kryeministrit, Argita Berisha deklaroi pas akuzave te deputetit Taulant Balla se çdo e ardhur qe ka fituar ne kohen kur ka ushtruar aktivitetin e avokatise, duke zbatuar tarifat sipas vleres se tregut dhe normes se fitimit te studiove ligjore ne kryeqytet, eshte deklaruar ne ILDKP dhe organe tatimore, e është tatuar sipas ligjit.
“Zoteria ne fjale nuk e finalizoi kurre projektin per shkaqe personale. Asnje shume nuk eshte marre prej tij apo çdo biznesmeni tjeter pa u deklaruar ne organet tatimore dhe ILDKP”, deklaroi Argita Malltezi, referuar denoncimit të socialistit Balla, mbi largimin e një investitori pakistanez, pasi sipas tij, i ishte kërkuar një shumë e papërballueshme si “konsulencë”.
Sipas saj, z. Rama e kupton shume mire dallimin midis ligjshmerise dhe deklarimit te burimit dhe fshehjes se burimeve siç ben e shoqja, por zgjedh shpifjen politike sepse standarti i z.Rama eshte fshehja e pasurise se tij dhe shpifja.
Argita Malltezi thekson se, “te ardhurat jane krijuar nga aktiviteti profesional, mesimdhenie, kerkim shkencor, botime librash profesionale, pjesëmarrje ne konferenca kombetare e nderkombetare, qera nga apartamente ne pronesine dhe trashegimi familjare; te gjitha keto te perfshira dhe te vertetuara me firmat tona dhe punedhenesve tane, me derdhjet bankare dhe me kontratat perkatese te deklaruara ne organet tatimore dhe ILDKP; dhe e kemi bere kete vite me pare se ligji te kekonte nje gje te tille”.
Sipas vajzes se kryeministrit, keto institucione kane bere kontrollet e tyre sipas viteve dhe kane dale me njoftim zyrtar duke i konsideruar ato transparente dhe konform ligjit.
“E kunderta vlen per ju z. Rama sepse te ndryshme jane standartet e tua. Siç provohet nga deklarata e pasurise, bashkeshortja juaj deklaron ne menyre zyrtare se ka marre pa interes 100 milione nga nje dhurues anonim”, thekson Argita Malltezi.
Sipas saj, refuzimi per te treguar dhuruesin dhe arsyet qe i shtyjne njerezit te jene kaq bujare me ju jane nje kambane e frikshme per standartet qe ju zbatoni dhe i ofroni ketij vendi.
Top Channel