Policia maqedonase realizoi të martën një operacion madhor anti-drogë, gjatë së cilit u arrestuan dhjetë persona dhe sekuestruan 350 kilogramë lende narkotike.
Operacioni i forcave të rendit, të mbështetura nga njësia speciale “Alpha”, u përqendruar në kryeqytetin Shkup dhe në fshatin e Araçinovos.
Siç raportoi agjensia e lajmeve “MINA”, operacioni policor ishte bashkërenduar me policinë e disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian, pas hetimeve mbi një organizatë ndërkombëtare të trafikimit të drogës.
Hetimet që çuan në këto arrestime nisën në vitin 2010 nga prokuroritë gjermane dhe austriake, që shpërbënë atëherë një rrjet të shpërndarjes së substancave narkotike.
Faktet e grumbulluara në kuadër të atyre hetimeve treguan se rrjeti i shpërndarjes shtrihej deri në fqinjin tonë lindor.
Deri tani, mbi 400 persona janë arrestuar në Gjermani dhe Austri, si anëtarë të këtij rrjeti madhor droge, midis të cilëve edhe 29 shtetas maqedonas.
Top Channel