Bashkimi Evropian ka shprehur besimin e tij se refuzimi që Prishtina
zyrtare i bëri vizitës së presidentit serb në Kosovë nuk do të ndikojë
tek takimi Thaçi-Daçiç.

“Të dyja palët e dinë se dialogu është në interesin e tyre dhe ne presim që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë përkushtimin ndaj proçesit”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton.

Zëdhënësja u shpreh optimiste se episodi në fjalë nuk do të ketë ndikim negativ në takimin e 17 janarit, kur dhe do të zhvillohet takimi i radhës mes dy kryeministrave.

Gjithësesi, ajo vlerësoi se në të ardhmen do të ishte mirë sikur vizitat dypalëshe të zhvilloheshin në një mënyrë më të lehtë, pasi proçedurat përkatëse tashmë ekzistojnë.

“Ekzistojnë proçedurat përkatëse për viza, ndërsa Bashkimi Evropian ka vetëm një rol lehtësues në komunikimin mes paleve”, theksoi më tej Koçijançiç.

Ajo i hoqi çdo përgjegjësi për refuzimin e vizës misionit EULEX, duke nënvizuar se, misioni evropian s’është i përfshirë në proçesin e vendimmarrjes, por vetëm monitoron Policinë e Kosovës që vendos për sigurimin e vizave.

Ndërkohë, burime të tjera të cituara nga “RTK” deklaruan se në takimin e 17 janarit nuk do të diskutohet asnjë platformë për Kosovën apo zonën veriore të saj.

“Tashmë dihet se veriu do të diskutohet në takimin e radhës, por ne nuk do të paraqesim asnjë dokument. Qndrimi ynë në lidhje me këtë çështje bazohet tek konkluzionet e 11 dhjetorit”, ka thënë një burim.

Nikoliç: Për çfarë shërbejnë bisedimet

Nga ana e tij, presidenti Nikoliç nuk e kaloi pa inate ndalimin e hyrjes në Kosovë. Gjatë një ceremonie me rastin e festës për të cilën edhe kishte kërkuar të shkonte në Kosovë, ai tha se, për çfarë shërbejnë bisedimet nëse atij nuk i lejohet të shkoj në Kosovë?

“Kjo gjë do të jetë një bazë për bisedimet e ardhshme”, tha Nikoliç duke akuzuar Bashkimin Evropian. “Unë nuk kam kërkuar të shkoj në një mision politik, por në një mision fetar, por atje nuk ka njerëz që besojnë në Zot”, theksoi presidenti serb, i cili nënvizoi se nuk do të kërkojë më leje pasi e di që ajo do t’i refuzohet.

Nikoliç shtoi se nuk priste nga shqiptarët që t’i lejonin vizitën, por nga bashkësia ndërkombëtare, e cila sipas tij në këtë rast nuk e kaloi provimin. Sipas tij, Serbia nuk duhet të shkojë në dialog pa kërkesat e paraqitura në platformën e saj për Kosovën.

Top Channel