Tre jave pasi e përditshmja gjermane e shpalli si politikanin e vitit për 2012-ën, kryeministri grek Andonis Samaras, i shoqëruar nga ministri dhe zv/ministri i Zhvillimit të Greqisë, po viziton Berlinin.
Këtë herë ai e viziton kryeqytetin gjerman në cilësinë e një prej folësve kryesorë, bashkë me presidentin e BQE-së Mario Draghi, në konferencën ekonomike që organizon grupi mediatik “Die Welt”.
Pikë kryesore e vizitës së tij në Gjermani është takimi me kancelaren gjermane Merkel, i treti prej gushtit të kaluar, me synim përmirësimin akoma më të madh të klimës midis dy vendeve, ndërsa kërkon më shumë mbështetje prej Berlinit në përpjekjen serioze të Greqisë për të zbatuar reformat ekonomike.
Por Samaras do takojë edhe shumë biznesmenë dhe përfaqësues të insituticoneve financiare gjermane duke iu kërkuar të investojnë në Greqi.
Kryeministri grek do të konfirmojë para Berlinit zyrtar, por edhe para investitorëve, vendimin e tij për të vazhduar politikën e ndryshimeve strukturore dhe privatizimet në mënyrë rigoroze për të ruajtur kredibilitetin që ka fituar me vështirësi Athina në këto dy muaj në arenën ndërkombëtare.
Njëkohësisht ai do bëjë të qartë se Greqia ka arritur tashmë në një pikë kulmore, duke bërë shkurtime tepër të dhimbshme në të ardhura dhe pensione dhe se ajo që i mungon është zhvillimi i ekonomisë dhe konsolidimi fiskal.
Nga Berlini ka ardhur edhe mbështetja e presidentit gjerman Joakim Gauk, i cili pasi ka pritur homologun e tij grek Karolos Papulias në kuadrin e një ekspozite për Olimpin e lashtë në kryeqytetin gjerman, ka deklaruar se Greqia do të mbështetet nga Gjermania jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen.
Greqia është një destinacion për më shumë se 2.5 milionë turistë gjermanë çdo vit, por siç komentojnë faqet e gazetave ekonomike gjermane, ajo duhet të luftojë jashtëzakonisht ekonominë joformale e cila sipas KE arrin në mbi 50 miliardë euro në vit, ose në 25% të PBB-së, duke zënë vendin e tetë midis shteteve të BE-së.
Top Channel