
Ndoshta për hërë të parë në këtë kampionat të Serisë A, presidenti Moratti nuk ka mbështetur “ankesat” e trajnerit Stramaccioni kundrejt gjyqtarëve.
Në ndeshjen e së dielës kundër Udinezës, ku zikaltërit u mundën 3-0, në minutën e 25-të të takimit, Palacio rrëzohet brenda zonës dhe pretendon për 11-metërsh. Por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari i takimit, që përvecse nuk dha penallti, por ndëshkoi me të verdhë sulmuesin zikaltër për simulim.
Në përfundim të ndeshjes, referuar rastit në fjalë trajneri Stramaccioni deklaroi para mediave italiane që skuadrës së tij iu mohua një penallti. Deklarata shkaktoi polemika pasi rrëzimi i Palacios ishte më shumë një simulim se sa një rrëzim i shkaktuar nga kontaktet me kundërshtarin.
Ndoshta është vetë numri një i Interit, Moratti ai që me deklaratën e lëshuar të hënën shuan këtë polemika.
“Arbitri i takimit u tregua i zoti. Nuk jam i mendimit se gjyqtarët na kanë favorizuar pasi po të kthesh kokën pas është e vështirë të gjesh një vendim në favorin tonë, por vendimi i së dielës për të mos dhënë penallti ishte ai i duhuri dhe ndeshja nuk përfundoi 3-0 për faj të gjyqtarit”, deklaroi Moratti.
Top Channel