Andrea Pirlo nuk do të largohet nga Juventusi, edhe pse shërbimet e tij përflitet se pretendohen prej Carlo Ancelottit, trajneri i Realit të Madridit.
Zërat për mundësinë e largimit të 34-vjeçarit nga “Juventus Stadium” kanë nisur të qarkullojnë pas disa vështirësive në rinovimin e kontratës, por drejtori i përgjithshëm i torinezëve, Giuseppe Marotta, siguroi tifozët që të gjithë këto lajme janë vetëm spekulime.
“Skuadra është e fortë, grupi i lojtarëve funksionalë dhe nuk dëshirojmë të shesim asnjë”, tha Marotta për “La Gazzetta dello Sport”.
“Me Pirlon kemi një kontratë 3-vjeçare, të cilës po i afrohet fundit, por nuk ka mundësi që ai të largohet për momentin. Marrëdhëniet me mesfushorin janë të shkëlqyera dhe klubi po negocion me të për zgjatjen e kontratës aktuale”, shtoi drejtori i përgjithshëm.
Ndërkohë, kampionët e Italisë në fuqi janë përfolur edhe për mundësinë e sigurimit të Jonathan Biabiany nga Parma dhe Jeremy Menez prej Paris SG. “Të dy janë futbollistë shumë të mirë, por për momentin nuk kërkojmë futbollistë të këtyre cilësive. Grupi është i kompletuar dhe i fortë”, vlerësoi Marotta.
Top Channel