Aleksander Cipa – Pozita dhe opozita e Shqipërisë e shpërfillën urimin
klasik të ardhjes së Vitit të Ri 2013, duke vijuar nga viti i vjetër
akuzat më të reja për fitimet mujore të familjarëve të kryeministrit dhe
bashkëshortes së kreut opozitar.
Një fushatë e re, e cila ka për të vijuar në muajt e parë të këtij viti. Është hapur një seri e re akuzash për financat e vetëdeklaruara nga palët pranë institucioneve. Natyrisht është vetëdeklarimi formal, pasi shumëkush në këtë vend e di se vetëdeklarimi për të ardhurat dhe fitimet informale është gjithherë i munguar, e madje i përjashtuar. Por gjithsesi, fushata e re e akuzave të ndërsjella për financat e deklaruara dhe ftesa për të dëshmuar burimin real të tyre duket se po merr formën e stilemës “trego kasafortën”. Ajo po zbret në fushën e polemikës denoncuese dhe kundërakuzuese familjen e vajzës së kryeministrit dhe së fundi, edhe bashkëshorten e kreut të socialistëve. Tamam një mikrofushatë në fushatën e madhe për pushtet.
Brendia e kësaj mikrofushate nuk sjell asgjë të papritur për publikun. Askush nuk çuditet prej shumave që nuk përgënjeshtrohen, por justifikohen publikisht prej protagonistëve që replikojnë dhe nuk japin sqarime të detajuara. Madje kjo mikrofushatë po e bën edhe më qesharake punën e institucioneve hulumtuese dhe sidomos partneritetin financiar mes privatëve dhe personave me pushtet në këtë vend. Por e keqja nuk është vetëm këtu, kjo mikrofushatë po tenton të krijojë një perceptim për të cilin mesa duket është e interesuar më shumë pozita dhe sidomos i kryesulmuari, kryeministri Berisha.
Ditët e fundit të vitit të shkuar, deputeti Taulant Balla i PS-së çeli dosjen e fitimeve të siguruara nga bija e kryeministrit në cilësinë e pedagoges në disa universitete private të vendit. Statistikat e publikuara si të ardhura mujore prej saj, natyrisht që tronditën publikun dhe vijojnë të jenë një shifër të cilën po e komentojnë ende shumë, jo vetëm mjediset universitare, por në heshtje dhe në takime informale edhe diplomatët e huaj në këtë vend. Përballë këtyre akuzave, prononcimet zyrtare të institucioneve që verifikojnë tatimet mbi të ardhurat personale, janë memecë dhe besueshmëria e kontrollit të institucioneve të linjës për burimin e të ardhurave ka rënë në nivelin e pabesueshmërisë absolute. Sidoqoftë, kjo është një marrëdhënie mes politikës dhe institucioneve në kohën e një fushate elektorale dhe si e tillë, heshtja e institucioneve mund të lexohet edhe si maturi përballë mëtimit elektoral. Por le të mos i largohemi mikrofushatës “trego kasafortën”.
Kjo është mikrofushata që tenton të krijojë në mos perceptimin real, së paku marrëdhënien paritare mes dy kulturave dhe ndërgjegjeve të molepsura prej fitimprurjes në qeverisje. Kjo mendësi nuk pranohet apo ekspozohet prej protagonizmit antagonist të selive politike PD-PS, madje as prej vetë akuzatorëve të palëve. Por ajo evidentohet thjesht përmes tendencës së hapur paritare që po tenton të potencojë në çdo reagim të vetën pala e shumicës. Deklarata e një dite më parë e bijës së kryeministrit dhe bashkëshortit të saj, bëhet provë e qartë e kësaj mendësie.
“I kapur në panik nga zbulimi i korrupsionit të tij, të familjarëve dhe të bashkëpunëtorëve të tij, z. Rama nën moton “shpif, shpif se diçka mbetet”, vazhdoi sot për të 13-n herë sulmet e ulëta politike dhe pa asnjë fakt në lidhje me të ardhurat tona dhe burimet e tyre plotësisht transparente. Ne u kemi faktuar institucioneve shtetërore dhe shqiptarëve se të ardhurat tona janë të qarta, nga burime të pastra, të ligjshme dhe të njohura, të përfshira në mënyrë të plotë në deklarimin pranë organeve tatimore dhe ILDKP, të cilat janë dokumente publike, që mund të disponohen nga kushdo…”, thuhet në deklaratën e çiftit Malltezi. Më tej, po ky çift shton akuzën e re për bashkëshorten e kreut të PS-së, zonjës Linda Rama: “… të bësh publike dhe me të njëjtin standard transparence të ardhurat e tua si dhe të ndriçosh ndër të tjera, një nga pasuritë e bashkëshortes tënde Linda Basha, e cila ka deklaruar që është përfituese e një huaje pa interes, pra dhuratë, prej jo më pak se 100 milionë lekësh nga një person anonim. Shtojmë këtu se kjo shumë nuk është deklaruar si e derdhur në bankë, por është marrë nga Linda Basha me para të thata në dorë. Ju bëjmë me dije se në doktrinën e larjes së parave, huaja pa interes, dhe e theksojmë, nga persona anonimë, konsiderohet tejet e dyshimtë për pastrim parash…”.
Pas kësaj akuze të bijës së sulmuar të kryeministrit ndaj zonjës Rama, natyrisht që kemi për të pasur një reagim nga kjo e fundit. Në këtë mënyrë, cikli i polemikës së mbarsur me denoncime shifrash dhe me kundërakuzash për shifra të tjera të panjohura, ka për të qenë i mëtejshëm. Kjo është mikrofushata në të cilën me protagonizëm të dyanshëm, por me inteligjencë malinje politike po promovojnë krerët e shumicës dhe padashur, ndoshta edhe ata të opozitës. Në këtë lojë pala e kryeministrit po investohet fuqishëm të realizojë barasperceptimin mes asaj që ka “kapur” Rama në vitet e të qenit qeverisës në ministri të Kulturës dhe në tri mandatet e kryebashkiakut të Tiranës dhe asaj që ka “kapur dhe kap” gjatë dy mandateve të tij si kryeministër zoti Berisha dhe rrethi i njerëzve të tij. Kjo simetri e kërkuar me çdo kusht nuk varet prej tij, edhe pse ai po i shërben me gjithë mekanizmat kësaj gjëje.
Janë dy të këqija që janë ftuar në duel, por dukshëm nga njëri ftues. E keqja e “kapjes” së kundërshtarit Rama është e një kohe të shkuar, së cilës zoti Berisha dhe institucionet e këtij vendi duhet t’ia ndiqnin procesin e transparencës dhe hetimit kohë e vite më parë. Ndërsa ajo për të cilën ngre pretendime dhe ekspozon shifra opozita, ka lidhje me kohën e tanishme, me kohën kur qeverisësi është ende i tillë dhe për të cilën, shumëkush e di se sa autoritet pavarësie kanë institucionet me tagër ligjor në këtë vend.
Kjo minifushatë nuk i vlen dot gjatë kryeministrit dhe në përgjithësi pozitës. Sepse kjo minifushatë, në thelbin e saj po sjell efekt prej fakteve, prej shifrave dhe prej letrave të vetëdeklaruara. Në ditët e ardhme të fushatës së madhe elektorale, protagonizmi mund të sjellë padyshim edhe shpifje edhe thashetheme. Por për ato, publiku dhe qytetarët, do të përdorin filtrat e veta të besueshmërisë dhe pabesueshmërisë. Sepse në këtë vend, fushata folklorike e akuzave të qena e të paqena është e vjetër sa vetë ky tranzicion, dhe në këtë traditë, dihet lehtësisht tashmë kush mbetet i vjetër dhe kush shfaqet i ri.
Mikrofushata “trego kasafortën” nga “Argita tek Linda”, është paradhoma nxehëse e fushatës elektorale me të cilën zyrtarisht ka nisur ky vit politik në vend. Kjo paradhomë po ekspozon se sa e thellë do të jetë mëtejshmëria e fushatës dhe e ballafaqimit pozitë-opozitë në muajt elektoralë deri më 23 qershor. Kjo mikrofushatë qartësisht po shfaqet edhe si një mundësi e përfitimit të imazhit tonë për një fushatë me antagonizma dhe konfliktualitet në ditët e ardhme. Palët në këtë mënyrë, po ravijëzojnë një ecje në pistën e duelit elektoral dhe asaj të forcës. Kjo tentativë në përvojën politike të zotit Berisha sa herë na ka nxjerrë në alternativën e dëshiruar prej tij, atë të forcës. Opozita duhet t’i shmanget asaj, jo për t’u dëshmuar si e paaftë apo frikacake, por për ta pasuruar këmbënguljen e vet me virtytin e fakteve të provueshme dhe faktologjisë rigoroze. Të vërtetat kanë avokaturë kohën dhe besimin dhe mbështetjen publike. Në politikë, kjo sentencë vlen më shumë se pasioni elektoral apo truket e interesit dhe koniunkturës politike. Ikja nga mikrofushata “trego kasafortën” familjare mund të zëvendësohet nga opozita, me këmbënguljen e ballafaqimit të të vërtetave familjare dhe zyrtare të kryeministrit me ligjin dhe dokumentimin real. Në sipërmarrje të tilla, opozita duhet të ekspozojë dimensionin real të korrupsionit dhe përvetësimit në gjithë piramidën qeverisëse, si dhe në gjithë kapilarët e jetës së vendit. Një ndërmarrje e tillë, është e lehtë në këtë vend, por mbart vështirësi në kushtet kur referenca mes së keqes së madhe dhe asaj së vogël është shembur qëllimisht prej qeverisjes. Rasti i vjedhjes ordinere të zotit Barjaba në SHBA dhe trumbetimit lincues të saj prej medias dhe politikës, është shembulli më tipik i kësaj asimetrie morale që dominon mes palëve, mes politikës dhe qytetarit në këtë vend.
Çështja është se a ia arrin opozita, përmes opozitarizmit dhe oponencës politike që kryeministrin dhe familjarët e tij, t’i ekspozojë siç pretendon jo vetëm për llogari elektorale, por për arsye të diferencës që ka ndërgjegjja e saj me atë të pozitës?! Mbyllja në rrethin vicioz të mikrofushatës “trego kasafortën nga Argita tek Linda”, banalizon qëllimin dhe injoron pasjen e një programi dhe pakete ringjallëse për vendin, e rrezikuar nga qeverisja e ndenjur dhe makinacioni uzurpues i mëtejshëm i saj. Misioni i opozitës natyrisht që vlen të mbetet edhe tek investigimi dhe vënia në pozitë përmes “fakteve kokëforta” të institucioneve ligjore për pasurinë apo kamjen e qeverisësve dhe kryeqeverisësit. Ky mision i vlen realisht “Rilindjes” së Shqipërisë së munguar, por ai bëhet i cungut nëse gjatë një fushate mbetet gjymtyrë kryesore dhe përmbajtje e vetme. Në të kundërt opozita, në cilësinë e saj si pretenduese për qeverisje të re dhe me përmbajtje rilindëse, duke mbetur veç tek kjo faktologji, e le Shqipërinë e ndenjur, më të ndenjur se në regjimin e zotit Berisha.
Top Channel