Schumi, jashtë rrezikut për jetën

06/01/2013 00:00

Për herë të parë pas 8 ditësh, vjen një lajm pozitiv kundrejt Michael Schumacher, i cili më në fund duket të jetë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse është ende në gjendje kome.

Lajmi është konfirmuar për televizionin gjerman RTL, nga vetë menaxherja e ish-pilotit të Formulës 1, Sabin Kehm, e cila, në një lidhje telefonike, është shprehur qartë: Për herë të parë mund të flasim se Michael është jashtë rrezikut për jetën.

Lajmi është i konfirmuar edhe nga mjekët, që po qëndrojnë pranë shtatë herë kampionit të botës së Formulës 1. “Gjendja e Schumacher është e qëndrueshme e gjatë gjithë kohës mbahet nën vëzhgim. Mund të thuhet se nuk është në rrezik akut për jetën”, thotë shefi i ekipit të mjekëve, Profesor Zhan Fransua Paje, njoftim i konfirmuar edhe nga prestigjiozja gjermane “Bild”.

Kjo është deklarata e parë optimiste, pas rreth 8 ditësh, gjatë të cilave shtatë herë kampioni i botës së Formulës 1, Michael Schumacher, ka qëndruar në spitalin e Grenoble-s, pasi pësoi atë aksident të rëndë në kokë duke bërë ski.

Ndaj tij janë bërë dy ndërhyrje në kokë dhe, për fat të mirë, situata ka qenë e qëndrueshme, pavarësisht se kritike, dhe më në fund janë dhënë shenjat pozitive, edhe pse deklaratat mbeten të rezervuara.

E pandryshuar gjendja e Schumacher

Michael Schumacher vazhdon të jetë në
gjendje të qëndrueshme, por kritike për jetën, informuan pasditen e së
hënës mjekët e spitalit francez ku shtatë herë kampioni i botës në
Formulën 1 është duke u kuruar.

Mjekët në Grenobël shtuan se 45-vjeçari vazhdon të jetë në mbikqyrje të vazhdueshme, por për momentin nuk mund të japin detaje të tjera mbi shëndetin e tij.


Kampioni i 7-fishtë i botës, i cili u tërhoq nga garat me makina në vitin 2012, vijon të jetë në koma të induktuar, pas dëmtimeve në kokë të marra si pasojë e rrëzimit në resortin Meribel, të dielën e 29 Dhjetorit.


Ai i është nënshtruar dy operacioneve deri më tani, për të hequr gjakun dhe presionin nga truri i tij.


Ndërkohë, hetuesit që po ekzaminojnë këtë aksident kanë bërë të ditur se do të lëshojnë detaje të tjera rreth dinamikës së ngjarjeve gjatë ditës së mërkurë.


Kryeprokurori i krahinës ku u verifikua ngjarja, Patrick Quincy, i tha “Associated Press” se për momentin prokurorët po hetojnë të dhënat filmike të marra nga një telefon celular, të cilat iu dorëzuan më parë revistës gjermane “Der Spiegel” nga një person i ndodhur në vendngjarje në momentin e aksidentit.


Nuk është e qartë se kur spitali do të publikojë një buletin mjekësor zyrtar mbi gjendjen e Schumacherit, pasi me kërkesë të familjes për të respektuar të drejtën e jetës private, administrata e spitalit ka rreshtur së komunikuari me shtypin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA