Pas pushimeve për festat e ndërrimit të viteve, Seria A u rikthye të shtunën me dy ndeshjet e para të javës së 19, që është edhe e fundit për fazën e parë të kampionatit.
Në Siçili, Katania priti Torinon. Vendasit të mbetur që shpejt me 10 lojtarë në fushë për shkak të largimit me të kuq të Lodit në minutën e 13-të të takimit, mundën të marrin një pikë pas rezultatit 0-0.
Vëmendja ishte e përqendruar në takimin tjetër, atë mes Lacios dhe Kaljarit në Olimpiko të Romës. Skuadra e Petkovic ishte në kërkim të pikëve për të forcuar pozitat në vend të dytë në klasifikim, ndërsa Kaljari në kërkim të surprizës.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa në të dytën ishin miqtë ata që kaluan në avantazh të parët me anë të Marco Sau në minutën e 62. Bardhekaltërit gjetën barazimin në minutën e 79 me Konkon, ndërsa në të 86-ën, Candreva shndërron në gol një 11 metërsh të fituar më parë.
Sot luhen takimet e tjera të javës ku Udineze do të presë Interin në orën 12:30, në orën 15:00 është radha e Milanit, Juventusit dhe Fiorentinës që presin në fushat respektive Sienën, Sampdorian dhe Peskarën, ndërsa në mbrëmje mbyll javën supersfida Napoli-Roma.
Top Channel