Sulmuesi 36-vjeçar i Udineses, Antonio Di Natale, bëri të ditur këtë të hënë se sezoni aktual do të jetë i fundit në karrierën e tij.
Di Natale, i cili si sulmues njohu një shpërthim të rrallë pas të 30-tave, deklaroi se ka marrë këtë vendim me qëllim që të ketë më shumë kohë për t’iu dedikuar familjes.
Dy herë golashënuesi më i mirë i Serisë A, Di Natale udhëhoqi Udinesen në dy kualifikime në Champions League që prej mbërritjes në këtë klub prej Empolit në vitin 2004, ndërsa falë paraqitjeve mbrësëlënëse, fitoi edhe një vend në kombëtaren italiane, pjesëmarrëse në Botërorin e 2010-s e dy Europianët e fundit.
Di Natale komunikoi vendimin e tij në përfundim të humbjes së pësuar brenda ndaj Veronës, në ndeshjen e javës së 18 të zhvilluar gjatë ditës. “Në fund të këtij sezoni kam vendosur të ndaloj së luajturi dhe këtë vendim e kam konsultuar edhe me familjen time. Ky është sezoni im i fundit. Është një vendim shumë i dhimbshëm për mua, pasi kam shënuar më shumë gola për Udinesen se sa herët që kam dalë për darkë me gruan. Ky klub është familja ime e dytë, por ka ardhur koha për t’i lënë vendin të rinjve”, tha Di Natale.
Top Channel