A mund të kenë Shqipëria dhe Kosova një ligë të përbashkët futbolli? Ideja është e mirë, por deklaratat e një dite më parë te kryeministrit Berisha, që pasojnë ato më të hershme të tifozëve kuqezi, Aleancës Kuqezi dhe Partisë Socialiste për të krijuar ligën mbarëkombëtare të futbollit, duket se do të mbetet vetëm një dëshirë dhe asgjë më tepër.
Janë dy organizmat e futbollit europian dhe botëror, UEFA dhe FIFA, ato që ia presin hovin kësaj dëshire të madhe dhe e bëjnë pothuajse të pamundur një gjë të tillë. Në statutin e UEFA-s, neni 5, pika 1 thuhet:
“Anëtarësimi në UEFA është i hapur për të gjitha shoqatat kombëtare të futbollit të cilat ndodhen në kontinentin e Europës, duke u bazuar në një vend i cili është njohur nga Kombet e Bashkuara si shtet i pavarur dhe të cilat janë përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e çështjeve të fotbollit në territorin e vendit të tyre”.
Kosova numëron më shumë se 80 njohje ndërkombëtare, por ende nuk është anëtare e OKB-së dhe për pasojë ajo nuk është pranuar në UEFA. Edhe në statutin e FIFA-s neni 10 thotë se:
“Çdo shoqatë e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e futbolli në vendin e saj mund të bëhet një anëtare e FIFA-s. Por më parë ky vend duhet të jetë një shtet i pavarur dhe të njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Anëtarësimi është i lejuar vetëm nëse një shoqatë apo federatë futbolli është aktualisht anëtare e një konfederate. Në rastin konkret, anëtare e UEFA-s”.
Pra, kemi të bëjmë me një proçes zinxhir. Që të kemi një ligë të përbashkët duhet që Kosova të njihet nga dy organizmat më të larta të futbollit, UEFA dhe FIFA. Që këto organizma të njohin Kosovën si anëtare të tyre, duhet që Kosova të jetë më parë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Deri tani kjo nuk ka ndodhur, edhe pse askush nuk e vë në dyshim që në të ardhmen Kosova do të jetë jo vetëm pjesë e Kombeve të Bashkuara me të drejta të plota si shtet i pavarur, por edhe i Bashkimit Europian.
Rreth 1 vit më parë FIFA refuzoi projekt/idenë e FSHF për kalimin e disa skuadrave të Kosovës në Superligën shqiptare me arsyetimin se anëtarët e FIFA-s nuk duhet të luajnë ndeshje me klube që nuk janë anëtarë të FIFA-s, apo anëtarë provizorë të konfederatës.
Vetëm para pak muajsh komiteti ekzekutiv i FIFA-s i refuzoi kombëtares A të Kosovës të luajë ndeshje miqësore me kombëtaret e vendeve të tjera që kanë njohur pavarësinë e saj.
Top Channel