Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç nuk do të mund të shkojë në Kosovë për të vizituar komunitetin serb me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Kjo vjen pasi qeveria e Kosovës i është përgjigjur negativisht një kërkese të tillë, pasi janarin e vitit të kaluar ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, që ishte nisur për të realizuar vizitën e parë të një zyrtari shtetëror të Kosovës në Luginën e Preshevës, nuk u lejua nga autoritetet policore serbe që të kalojë kufirin Kosovë-Serbi.
“Është reciprocitet, sepse përderisa zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës u ndalohet vizita në Serbi, as ne nuk do të lejojmë që zyrtarët serbë të vizitojnë Kosovën”, deklaroi Rexhepi.
Këtë deklaratë ministri Rexhepi e bëri në një konferencë për shtyp, ku sqaroi disa çështje që kanë të bëjnë me skandalin e pasaportave.
Ditë më parë, Besnik Berisha, i pezulluar nga detyra e drejtorit të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve në Ministrinë e Brendshme, ka deklaruar se njëri nga këshilltarët e ministrit Rexhepi, përmes një letre ka thënë se prej ambasadës amerikane kanë kërkuar që tenderi t’iu jepet austriakëve sepse janë të përgjegjshëm.
Për ketë letër të ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, Rexhepi tha se nuk ka qenë ndërhyrje që kompania austriake të fitojë tenderin për prodhimin e pasaportave, por mes 4 kompanive të parakualifikuara për të fituar tenderin, në dy prej tyre si nënkontraktore është një kompani ndërkombëtare amerikane e njohur në këtë fushë. Dhe sipas Rexhepit, është normale që ambasadorët, pos të tjerash, të lobojnë për kompanitë e shteteve të tyre.
“Jo vetëm ambasadori Dell, por ka pasur edhe ambasadorë të tjerë, si dhe ministra të tjerë që janë interesuar për kushtet e tenderit dhe që të jetë një ambient sa më i favorshëm, që kompanitë nga shtetet e tyre eventualisht të dalin fituesese, por pa ndikuar në fituesin e tenderit. Unë i kam dërguar letër kryeprokurorit të shtetit dhe shefit të EULEX-it dhe kemi qenë të hapur për gjithë dokumentacionin që kjo çështje të përfundojë sa më parë”, tha Rexhepi.
Mediat online në Prishtinë, ditë më parë, duke u mbështetur në burime konfidenciale, kishin shkruar se ish-zyrtari i MPB-së, Besnik Berisha kishte kërkuar para në emër të kryeministrit të Kosovës për të garantuar tenderin, gjë që është hedhur poshtë nga vetë Berisha.
Ndërsa për këtë lajm ministri Rexhepi tha se, garanton të gjithë se që kur ka ardhur në këtë post, kryeministri ka kërkuar pastërti maksimale në çështjet e tenderave.
Rexhepi konfirmoi më tej se, tashmë edhe Kosova ka një atashe për çështje biznesi në Strasburg, i cili ka për detyrë promovimin e biznesit kosovar dhe kjo sipas tij, në botën demokratike është diçka normale.
Top Channel