Liga, Berisha nuk u përgjigj

05/01/2013 20:00

Në Kosovë shpresojnë se deklaratat e kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për krijimin e një Lige Mbarëkombëtare të Futbollit do të ndiqen nga hapa konkretë.

Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka thënë se një ide e tillë është diskutuar edhe më herët, por nuk është konkretizuar deri tani.

“Besoj se homologu im, Aldo Bumçi, do të marrë hapat konkretë. Të bëhet një propozim dhe pastaj, konform modaliteteve të mundshme dhe në koordinim me federatat përkatëse, pasi ato janë përgjegjëse për organizimin e garave, të marrim hapat e nevojshëm”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërsa kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri thotë se politika duhet ta kryejë detyrën e saj, sepse përsa u përket federatatave, ato brenda 24 orëve do ta realizojnë atë. Ai shprehet se, nga ana tjetër duhet parë nëse kjo gjë të lejohet nga FIFA pasi FFK-ja nuk është anëtar i saj.

“Politika duhet të bëjë punën e vetë, pasi nëse ligji arrin tek federatat, ne do ta bënim në 24 orë. Por duhet parë nëse është e lejueshme. Me sa jam informuar unë, është e mundur që të bëhet një ligj i përbashkët”, ka deklaruar Vokrri.

Vitin e kaluar një ndër klubet kosovare me traditën më të gjatë të futbollit, FC Prishtina, kishte kërkuar të luante në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, por Komitetit i FSHF-së e kishte mbështetur vetëm si ide, ndërsa në vendim thuhej se, kjo kërkesë duhet parë shumë gjerë jo vetëm nga ana juridike por edhe nga ajo institucionale.

Një ditë pas deklaratave të kryeministrit Berisha, presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi kujton se një kërkesë të tillë ua kishte drejtuar edhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, piëkrisht kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, por nuk kishte marrë një përgjigje prej tyre.

Gjithësesi, ai e vlerëson si një lajm të mirë iniciativën për Ligën Mbarëkombëtare dhe shpreson që iniciativa e kryeministrit Berisha të mos mbetet vetëm në rrafshin e deklaratave politike, por që ajo të jetësohet.

“Ideja është e mrekullueshme. Ky është një moment historik, edhe pse deklarata ka qenë e mëhershme. Por kjo mund të jetë edhe marketing politik, ashtu sikurse ishte ideja e portit të Shëngjinit apo ajo e pasaportave shqiptare. Gjithësesi, do të ishte e mrekullueshme nëse kjo realizohet”, ka thënë Ejupi.

Sipas tij, një ligë e përbashkët do të ishte më atraktive, ku do të rritej rivaliteti ndërmjet klubeve dhe interesimi i sportdashësve për të parë ndeshjet e futbollit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA