Gjashtë persona, të gjithë me shtetësi ruse, kanë vdekur në një incident të ndodhur gjatë natës në një pistë skish në Trentino të Italisë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave përveç viktimave, të cilët ishin të afërm me njëri-tjetrin, dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, edhe ata me shtetësi ruse.
Sipas burimeve, personat në fjalë ndodheshin me pushime në Trentino dhe për t’u argëtuar kishin zgjedhur të bënin xhiro me slita në errësirë, kur kishte rënë nata.
Por argëtimi ka përfunduar në tragjedi, pasi pikërisht për shkak të errësirës slitat janë përplasur duke përfunduar jashtë piste.
Ndërkohë, prokuroria lokale ka hapur një hetim për vrasje të qëllimshme dhe ka marrë kampione gjaku nga dy të mbijetuarit, të cilët nuk janë në rrezik për jetën.
Autoritetet italiane synojnë të kryejnë kontrolle për të verifikuar praninë e alkoolit tek personat që ishin në drejtimin e motoslitave.
Pritet që rezultatet e analizave të dalin së shpejti dhe ditën e hënë autoritetet do të mbajnë një mbledhje për të analizuar hetimet e deritanishme.
Ndërkohë, nga Milano ka mbërritur në Trentino konsulli i përgjithshëm rus për të nisur praktikat e transferimit të trupave të viktimave në vendin e tyre.
Top Channel