Irlandë e Veriut, trazira në Belfast

05/01/2013 16:50

Policia në lindje të Belfastit, në Irlandën e Veriut, është sulmuar për të tretën ditë rresht, këtë herë edhe me plumba, raporton BBC. Rreth 100 manifestues kanë sulmuar kryesisht me gurë dhe shashka forcat e rendit, që janë kundërpërgjigjur me topa uji.

Më herët gjatë së shtunës, të paktën 1 mijë besnikë protestuan jashtë sheshit para bashkisë së Belfastit ndaj vendimit për të ngritur flamurin e bashkimit vetëm për ditë të caktuara.

Ndërsa të premten, 9 oficerë policie mbetën të plagosur dhe 18 arrestime u kryen në lidhje me disa protesta në të njëjtën zonë të qytetit irlandez, si dhe në Njutaunabej.

Një takim i posaçëm i prokurorëve të Belfastit do të mbahet në orët e mbrëmjes së të shtunës, për të biseduar mbi kryengritjet dhe arrestimet e kryera.

Kjo është hera e parë që ndodh në Irlandën e Veriut. Policia ka paralajmëruar njerëzit që të shmangin rrugën mes Urës së Fundit dhe Harkut të Hollivudit pikërisht për shkak të manifestimeve.

Mbi 30 bomba molotov dhe bomba të llojeve të tjera u hodhën të premten, teksa policia përpiqej të vinte nën kontroll turmën.

Në Njutaunabej policia u sulmua nga një grup që hidhte drejt saj tulla dhe shishe prej qelqi. Ministri i Parë i Irlandës së Veriut, Peter Robinson deklaroi se dhuna kundër policisë ishte “e turpshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA