Ky nuk është momenti më i mirë për të veshur fanelën e Milanit, por për Keisuke Hondën, kalimi në “San Siro” mbetet gjithsesi një ëndërr e shndërruar në realitet.
Mesfushori 27-vjeçar do të luajë në Milanin më të dobët të dy dekadave të fundit, por në mbërritjen e tij në “Milanello”, Honda deklaroi: “Gjithmonë e kam parë Milanin në televizor, ndërsa tani do të jem në gjendje të luaj këtu. Për mua është e pabesueshme. Milani është një klub legjendar, është një ëndërr e shndërruar në realitet”.
Japonezi, i dalluar për teknikën e tij mbërriti në Itali nga radhët e CSKA-së së Moskës, me parametra zero pas përfundimit të kontratës së tij në Janar.
Ai pritet të prezantohet zyrtarisht në një konferencë për shtyp gjatë së dielës.
Një kalim i përfolur që në verë, ai i Hondës pritet të përforcojë Milanin në mesfushë, duke rritur kapacitetin teknik të ekipit, por gjithashtu besohet se do të jetë shumë fitimprurës edhe në aspektin e marketingut, në tregun e rëndësishëm aziatik.
Top Channel