Lajmi ishte bërë i ditur prej kohësh, por tashmë ka marrë karakterin e njoftimit zyrtar. Alexandre Pato largohet nga Milan dhe kalon te Corinthians, ku do të veshë sërish fanellën me numrin 7.
Njoftimin e kanë dhënë dy klubet respektive, përmes faqeve të tyre në internet. Transferimi është i karakterit përfundimtar dhe Galliani ka mbyllur cdo tratativë në vlerën e 15 milionë eurove. Në ditët e ardhshme, lojtari do të kryejë vizitat mjekësore, një rit i zakonshëm pas cdo transferimi.
Sulmuesi brazilian do të firmosë një kontratë 4-vjecare, menjëherë pasi të kalojë testet mjekësore. Pato largohet kështu nga Milan pas 5 vitesh me ulje e ngritje, të karakterizuar nga shumë gola, por gjithashtu, po aq shumë dëmtime.
Nga janari 2008 deri në golin e tij të fundit, ai ndaj Anderlecht në Champions League, i cili koincidon edhe me lëndimin e tij të fundit, braziliani ka shënuar 63 gola në 150 ndeshje zyrtare. Galliani, sic e kishte deklaruar gjatë ditëve të kaluara, ka arritur një marrëveshje për rreth 15 milionë euro.
Detajet e kontratës nuk bëhen të ditura. Nuk bëhet fjalë për një shkurtim të pagës së “Patokut”, as për një rikthim të tijin te Milan pas 2 apo 3 vitesh, sic kishte deklaruar dëshirën e tij Silvio Berlusconi, por “Në rast të një shitjeje të ardhshme, – lexohet në Corinthians.com.br, – 60% e shumës do të shkojë për klubin brazilian, ndërsa 40% për Pato-n”.
Përshëndetja e fundit e Pato-s
“Dëshiroj të përshëndes, por mbi të gjitha të falënderoj, të gjithë. Nga presidenti Berlusconi dhe shumë persona të tjerë te Milan, me të cilët kam bashkëpunuar gjatë këtyre viteve të paharrueshme në Milano. Shkoj në Brazil, te Corinthians, për të patur mundësi të luaj vazhdimisht. Nuk do të jetë e lehtë të harroj Milan-in. Jam dhe do të jem gjithmonë i lidhur me këtë fanellë, me ngjyrat kuqezi dhe me të gjithë tifozët e “djallit”. Mbi të gjithë, për këta të fundit shkon në këtë moment falënderimi im më i madh”.
Top Channel