Spanjë, i papuni i vë flakën vetes

04/01/2013 17:55

Një person i papunë në jug të qytetit spanjoll të Malagës ka ndërruar jetë në spital dy ditë pasi i kishte vënë flakën vetes në mes të rrugës.

Fqinj të viktimës dhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes u thanë mediave spanjolle se 57-vjeçari, me origjinë afrikano-veriore, vuante nga probleme financiare.

Policia po heton ngjarjen e ndodhur të mërkurën, ndërkohë që një tjetër person po mjekohet në të njëjtin spital pasi i vuri flakën vetes të enjten.

Ky i fundit, 63 vjeç, u gjet me plagë të rënda në makinën e tij të djegur poshtë një ure, bën të ditur policia spanjolle.

Nuk jepen detaje të tjera për personin në fjalë, por sipas gazetës “El Mundo”, hetimet paraprake tregojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Ndërkohë, rrethanat në të cilat afrikano-veriori mori flakë janë ende të paqarta, me prova të vakëta që sugjerojnë se ai mund t’ua ketë vënë flakën rrobave aksidentalisht me një çakmak.

Gjithësesi, burime spitalore të cituara nga “El Mundo” thonë se dëmtimet serioze të marra dhe shpejtësia me të cilën është hapur zjarri tregojnë se veprimi ka qenë i vullnetshëm.

Mediat spanjolle kanë raportuar në muajt e fundit për një mori rastesh të tilla, që kryhen kryesisht nga persona që përballen me varfërinë, në një kohë kur vendi ndodhet në reçesion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA