Llorente, tek Juventusi brenda janarit

04/01/2013 14:35

Kalimi i Fernando Llorentes tek Juventusi mund të bëhet në ditët e ardhshme dhe jo në muajt e verës siç spekuluar më parë, raportoi të premten “La Gazzetta dello Sport”.

Pas një rezistence disa-mujore, klubi bask duket se është dorëzuar dhe po kërkon blerës potencialë për sulmuesin, të cilit i skadon kontrata në muajin qershor.

27-vjeçari, në muajin dhjetor organizoi një konferencë për shtyp, në të cilën shpjegoi se është i vendosur të largohet se qëndrimi i tij nuk mund të ndryshonte pavarësisht ofertave të klubit për rinovim.

Një situatë e tillë solli një konflikt me tifozët dhe në ndeshjet e fundit, ai ka qëndruar në stol ose në tribunë.

Duke parë edhe situatën e klubit në kampionatin spanjoll, larg katër vendeve të para të kualifikimit në Champions, ku shpresohej se skuadra mund të mbërrinte, Bilbao ka ndryshuar qëndrim dhe është gati të realizojë largimin e Llorentes.

Përsa i përket sulmuesit, Juventusi duket se ka arritur një marrëveshje paraprake dhe vetë spanjolli duket tepër i tërhequr nga mundësia për të luajtur në Serinë A dhe Champions League.

Në kushtet aktuale, besohet se ky transferim mund të konfirmohet brenda ditëve ose orëve të ardhshme. Tek Juventusi, Llorente do të mund të luante edhe në Champions League, në ndeshjet me ballafaqim direkt, pasi rregullorja e UEFA-s lejon deri një futbollist që është aktivizuar në Europa League, që të regjistrohet në Champions me një klub të ri në janar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA