Kinë, gazetarët sfidojnë çensurën

04/01/2013 18:20

Gazetarët e një gazete të rëndësishme kineze i kanë bërë thirrje shefit të tyre që të dorëhiqet, në një shenjë proteste ndaj propagandës dhe çensurës.

Stafi gazetaresk dhe punonjësit e tjerë të “Southern Weekly” i kërkuan eprorit që të largohet, pasi ai deformoi një editorial në favor të Partisë Komuniste. Ata e akuzojnë atë për sjellje diktatoriale në një kohë kur “dyert po hapen”.

Përplasja mes dy palëve erdhi pasi faqja e internetit të gazetës liberale u mbyll, pasi publikoi një ese në të cilën kërkoheshin reforma politike.

Korrespondentët e mediave të huaja thonë se çështja e çensurës është një test për të provuar nëse liderët e rinj të Kinës do të jenë të hapur për reforma, sikundër njoftuan në nëntor.

Përplasja tek “Southern Weekly”, e njohur për shkrime investigative dhe për sfidën ndaj kufijve të çensurës, erdhi pasi editoriali i përgatitur këtë vit të ri kërkonte garantimin e të drejtave kushtetuese, por u modifikua në minutën e fundit duke nxjerrë në pah virtytet e Partisë Komuniste.

Në dy letra të hapura, 35 anëtarë të vjetër të stafit dhe 50 punonjës të tjerë kanë kërkuar dorëheqjen e shefit të propagandës lokale në Guangdong, Tuo Zhen.

“Ndryshimet janë një ndërhyrje e pastër. Nëse media humbet besueshmërinë dhe influencën, atëherë si do t’ia bëjë partia në pushtet që zëri i saj të dëgjohet dhe të bindë popullin?”, thuhet në letrën e së premtes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA