Lideri absolut i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, duket se është bërë për herë të parë baba në ditët e fundit të 2013-s, sugjerojnë spekulimet e publikuara në mediat ndërkombëtare.
Nëse do të verifikohet, një lajm i tillë do të siguronte vazhdimin e dinastisë së Kim-ëve në një brez të katërt, pas liderve të mëparshëm, gjyshit të Kim Jong-un, Kim Il-Sung dhe babait të tij, Kim Jong-Il.
Janë fotografitë që tregojnë një ndryshim të madh tek bashkëshortja e Jong-Un, Ri Sol-Ju, ato që kanë bërë të qarkullojnë zërat për lindjen e një fëmije në familjen që drejton gjysmën veriore të gadishullit Korean që prej vitit 1948.
Në ditët përpara Krishtlindjeve, Ri Sol-Ju, e cila tërhoqi vëmendjen e diktatorit duke kënduar në një shfaqje në kryeqytetin Penian, u shfaq në një pritje zyrtare duke veshur një pallto të rëndë dhe të gjerë, e cila besohej se i fshihte format e shtatzanisë.
Perpara Krishtlindjeve, bashkeshortja e diktatorit Kim Jong-Un, shfaqet ne nje pritje me nje pallto te gjere te zeze, qe besohet se fsheh format e nje shtatzanie ne 2-3 javet e saj te fundit
Ndërkohë, në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror, pas Vitit të Ri, Kim Jong-Un shfaqet përkah gruas së tij në një inagurim, por këtë herë, Sol-Ju duket më e dobët se më përpara, duke bërë të besohet se ajo ndërkohë ka lindur.
Zërat për shtatzaninë e bashkëshortes së Jong-Un qarkulluan për herë të parë në muajt e verës, por nuk u konfirmuan asnjëherë në rrugë zyrtare.
Ne nje ceremoni pas Vitit te Ri, bashkeshortja e Kim Jong-Un vesh nje pallto qe tregon forma me te imta, duke i dhene jete spekulimeve per lindjen e nje femije
Korea e Veriut, një ndër pesë vendet e mbetura në botë ku mbeten ende në fuqi sisteme komuniste (pas Kinës, Vietnamit, Laosit dhe Kubës), konsiderohet gjerësisht si shteti më i izoluar në botë dhe përballë mungesës absolute të aksesit në vend nga mediat ndërkombëtare, burimet e vetme të informacionit, përgjithësisht janë Agjensia Zyrtare e Lajmeve “KCNA” ose burimet e pakonfirmuara të agjensive të vendeve fqinje, shpesh të informuara nga të arratisurit nga vendi për ngjarjet e fundit që ndodhin në vend.
Top Channel