Fondi Monetar Ndërkombëtar u ka prishur festën bursave pasi Amerika duket se shmangu të ashtuquajturën “humnera fiskale”.
Marrëveshja e arritur në Kongres nuk është e mjaftueshme për të garantuar shëndetin afatgjatë ekonomik të amerikanëve, ka deklaruar instituti i drejtuar nga Christine Lagarde.
“Për më tepër, duhet ende që financat publike në Shtetet e Bashkuara të kthehen në një shteg të sigurtë, pa dëmtuar ripërtëritjen ende të brishtë ekonomike”, ka deklaruar zëdhënësi i FMN, Gerry Rice.
Ndërkohë, sipas agjencisë “Moody’s”, marrëveshja për “humnerën” është një tjetër hap përpara në sqarimin e trajektores afatmesme të defiçitit dhe të borxhit.
“Por duhen masa të mëtejshme për të reduktuar defiçitin. Nëse këto nuk do të ndërmerren, atëherë ekonomia amerikane mund të zhvlerësohet”, ka deklaruar agjencia e kreditimit.
Me 257 vota pro dhe 167 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi para pak ditësh projektligjin që shmang humnerën fiskale të rritjes automatike të taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve.
Për presidentin Barack Obama ky ishte një hap i mbarë drejt një përpjekjeje më të gjerë për trajtimin e çështjes së defiçitit tepër të lartë të vendit.
Në komentet e bëra para se të kthehej në Hauai për të vazhduar pushimet që ndërpreu, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se me firmosjen e projektligjit përmbushet një prej zotimeve të tij të fushatës.
Top Channel