Presidenti i Republikës Bujar Nishani uron shqiptarët kudo jetojnë me
anë të një mesazhi me rastin e ardhjes së Vitit të Ri 2013. Fillimisht
Presidenti zgjodhi të uronte të sëmurët, sidomos ata të moshuar, të
pastrehët dhe shtresat në nevojë.

Presidenti uroi për një sistemim sa të më shpejtë të të papunëve,si dhe uroi për një vit të mbarë, ata që në 2012 u goditën nga fatkeqësi të ndryshme.

“Përshendes dhe uroj së largëti emigrantët, studentët, të cilët nuk mundën të ndodhen këtu. Uroj paqeruajtësit shqiptarë kudo ndodhen. Se për pak harrova disa urime të tjera për vitin që vjen. Uroj autostradat që të jenë plot me kamionë, qiellin plot më avionë, detin plot me anije, rrugët plot me makina, rrugicat plot me përqafime pranë pragjeve dhe portave, hambarët të jenë plot drithë, zemrat plot me rrahje, shpirtrat plot me dashuri. Për secilin prej jush, për të dashurit tuaj, për familjet tuaja për të gjithë ju. Shëndet, punë, mirëqënie, paqe dhe fat. Gëzuar!” uroi Nishani.

Urimi i Berishës për Vitin e Ri

Në prag të ndërrimit të viteve, Kryeministri Sali Berisha i uron të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, Vitin e Ri 2013.

“Në këto pak çaste para ndërrimit të viteve dëshiroj të gjendem pranë jush, të ndaj me ketë mesazh, së bashku me ju, gëzimin e vitit që presim, të uroj për ju, njerëzit tuaj më të dashur, një vit të ri plot shëndet, mbarësi, lumturi, gëzim, suksese. Uroj që viti 2013 të jetë viti i realizimit të aspiratave dhe ëndrrave tuaja më të bukura”, shprehet Berisha.

Shefi i Qeverisë uroi të gjithë ata, të cilët gjatë vitit që shkoi humbën më të dashurit e tyre apo përballuan dhimbje të skamjes, sëmundjeve, papunësisë.

“Viti 2012 ishte viti i flamurit tonë, ishte viti i krenarisë sonë, viti i 100 vjetorit të pavarësisë. 28 nëntori do të mbetet në memorien tonë kombëtare jo vetëm si dita e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, por si dita e lëvizjes më të fuqishme mbarëpopullore, paqësore, mbarëkombëtare të bashkimit të kombit shqiptar. Kurrë ndonjëherë në histori, shqiptarët nuk janë ndjerë më pranë njëri-tjetrit, më të bashkuar se më 28 nëntor. Mesazhi i kësaj dite: Të ecim të bashkuar njëri me tjetrin, të bashkuar me Europën, drejt idealeve tona kombëtare”, u shpreh Berisha.

Kryeministri shprehu besimin se 2013 do të jetë një vit i bardhë dhe i bekuar për shqiptarët. , një vit tjetër i bekuar për shqiptarët.

Sequi: 2013, një mundësi e re

Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri Ettore Sequi, në një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e Vitit të Ri thotë se viti 2013 do të jetë një tjetër shans për shqiptarët për të përmbushur kushtet dhe për t’i shërbyer integrimit të vendit.

“Të dashur miq shqiptarë! Pas pak nis viti i ri, për mua do të jetë viti i tretë në vendin tuaj të bukur me ju. Di që ende flas shqip si arbëresh. Shqiptarët janë europianë në gjeografi dhe europianistë në shpirt. E besoj me zemër këtë! Besoj se ëndrra dhe projekti europian i tyre, ky vit do të jetë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe për perspektivën e tij europiane. Një vit i ri nuk është vetëm një numër më tepër në kalendar, por është edhe një mundësi e re. Kam besim se bashkë do të realizojmë sfida në të ardhmën. Gëzuar të gjithëve!” uroi Sequi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA