Rënia e famshme e sferës në vigjiljen e ndërrimit të viteve në Nju Jork është një magnet i vërtetë për reklamuesit. Cdo vit, mbi një milionë vetë mblidhen në Times Square për uljen-ikonë të sferës së kristaltë.
Kremtimet tërheqin përpara ekranit të televizorit edhe miliona persona të tjerë nga Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota. Kjo është arsyeja përse billboard-et në këtë shesh konsiderohen një prej pikave më të rëndësishme të reklamimit në mbarë globin.
Dhënia e tyre vjetore me qera mbërrin deri në 4 milionë dollarë. Times Tower, ndërtesa që ngrihet mbi shesh e mban billboard-et në fjalë, u shit në vitin 1997 për 117 milionë dollarë, ndërsa sot vlen 495 milionë. Pesë reklamues globale, përfshire Waterford, Philips, Toshiba, Nivea dhe shoqatën e miqësisë kinezo-amerikane, kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për kretimtimet e sivjetshme të Vitit të Ri.
Jeff Straus, organizues i ceremonisë në Times Square, thekson: “Jemi shumë me fat që kemi pesë partnerë. Kemi Waterford Crystal, që ofron kristalet për sferën e vigjiljes së ndërrimit të viteve; Philips garanton ndriçimin e sferës së mrekullueshme; Nivea, kompania e kujdesit të buzëve ndihmon dhe ajo sepse këtë bëjmë ne këtu në mesnatë, shkëmbejmë puthje; Toshiba sjell ekranin gjigand ku do të ndjekim numërimin së prapthi deri në trokitjen e Vitit të Ri; shoqata e miqësisë amerikano-kineze pastaj është një nga të preferuarat e mia.”
Statistikat tregojnë se gjatë sezonit festiv, në Times Square kalojnë 15.000 vizitorë në një orë, ndërsa reklamat në billbord-e mund të shihen sipas Reuters nga qindra-mijëra persona në ditë.
Top Channel