Ndonëse Interi nuk ka konfirmuar kurrë zyrtarisht dhe trajneri Stramaccioni e konsideron ende një pjesë të rëndësishme të ekipit, “divorci” i mesfushorit Sneijder dhe klubit milanez tashmë duket i sigurt.
28-vjeçari, në një intervistë të publikuar të shtunën në të përditshmen holandeze “De Telegraaf”, pranoi se është i gatshëm që në mënyrë që të rikthehet protagonist, të largohet nga Italia që në muajin janar.
“Në kushtet aktuale, është e qartë që gjëja më e mirë për të gjitha palët është që të mundësohet transferimi im që në muajin janar. Megjithatë, i takon klubit të vendosë, unë mendimin tim e kam shprehur, por kam një kontratë deri në 2015-n”, deklaroi holandezi.
Në intervistën e tij, Sneijder foli edhe për të ardhmen e kombëtares dhe ndjesitë e mira nën drejtimin aktual të Van Gaal. “Gjatë Europianit nuk iu afruam as afërsisht ndjesive të mira të Botërorit të 2010-s, por në Brazil jam i sigurt që do të shkojmë larg dhe që do të jemi një pretendent serioz për titullin. E rëndësishme do të jetë vetëm që të fitojmë ndeshjen e parë”, tha mesfushori.
Top Channel