Prokurorët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e një prej trafikantëve më të kërkuar të drogës të Kolumbisë, që u arrestua dy muaj më parë në Argjentinë.
Henry de Jesus Lopez konsiderohet si lideri i së ashtuquajturës banda e Urabenos, që vepron në veri të Kolumbisë.
Lopez kishte hyrë në Argjentinë me një pasaportë false dhe ishte prezantuar si një biznesmen venezuelian që udhëtonte për punë.
Ai u arrestua bashkë me bashkëshorten e tij dhe 10 truproja në Buenos Aires më 30 tetor. Nga ana e tij 41-vjeçari kolumbian insiston se ka qenë viktimë e një komploti.
Kërkesa për ekstradim është bërë nga një gjykatë në jug të Floridës dhe proçesi për të shqyrtuar kërkesën do të zgjasë të paktën 4 muaj, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve “Telam”.
Agjentë amerikanë të DEA-s, të policisë kolumbiane dhe asaj argjentinase po e gjurmonin prej muajsh për të bërë të mundur arrestimin e tij, duke përgjuar telefonin, duke monitoruar lëvizjet e automjeteve të tij me satelit dhe duke infiltruar agjentë në rrethin e tij.
Hetuesit thanë se bashkëshortja e bosit, dy fëmijët e tij dhe truprojat kishin lëvizur vazhdimisht mes pesë rezidencave të ndryshme.
Ato bënë të ditur se vetëm pak minuta para arrestimit ai ishte takuar me një anëtar të kartelit meksikan të drogës, Los Zetas, të cilin e furnizonte me drogë.
Top Channel