Obama-Putin, luftë firmash

29/12/2012 00:00

Një luftë firmash presidenciale ngjan kjo mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij amerikan, Barack Obama.

Pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë firmosi “Aktin Magnitski”, që parashikon ndalimin e funksionarëve rusë që kanë shkelur të drejtat e njeriut, shefi i Kremlinit nënshkroi ligjin i pagëzuar “Dima Yakovlev”, që ndalon adoptimin e fëmijëve rusë nga familjet amerikane.

Janë të paktën 52 jetimë rusë që u mohohet kjo. Ligji rus ka marrë emrin e Dimës, një djalë që ndërroi jetë në vitin 2008 në Shtetet e Bashkuara, pasi babai amerikan e kishte harruar brenda në makinë, nën temperaturat e larta të verës.

Babai amerikan i shpëtoi dënimit për vrasje me dashje. Por, duke marrë shkas nga ky rast, Vladimir Putin ndaloi adoptimin e fëmijëve rusë nga amerikanët prej 1 janarit të vitit të ardhshëm. Putin u tha zyrtarëve se nuk kishte asnjë arsye për të mos e nënshkruar ligjin.

Rreth 3.400 fëmijë rusë u adoptuan nga familjet e huaja në vitin 2011, një e treta e tyre shkoi në Shtetet e Bashkuara. Për të njëjtën periudhë numri i fëmijëve rusë të adoptuar ishte 7.416.

Vdekja në burg e avokatit që luftoi korrupsionin Sergei Magnitsky u shndërrua simboli i luftës kundër korrupsionit në Rusi dhe tensionoi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Avokati 37-vjeçar u arrestua për evazion fiskal pasi denoncoi një vjedhje prej 230 milionë dollarësh të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme.

Pikërisht të premten i shpëtoi akuzës për neglizhencë Dmitrij Kratov, ish-nëndrejtor i burgut Butjirka ku Magnitski ndërroi jetë. Sipas një raporti zyrtar rus të vitit të kaluar, avokati ishte torturuar barbarisht në burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB