Gremina fiskale, takimi i Obama-s

29/12/2012 01:30

Presidenti amerikan, Barak Obama, u takua me krerët demokratë dhe republikanë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për të ndaluar rënien e Shteteve të Bashkuara në “greminën fiskale”, e cila nëse do të ndodhë do ta çojë vendin në recesion.

Siç raporton media amerikane, Obama do të paraqesë një pakt të ri për të shmangur rritjen e taksave dhe uljen e menjëhershme të shpenzimeve më 1 Janar. Bëhet fjalë për një paketë të kufizuar, përmes së cilës do të ndërhyhet te disa prej taksave apo do të shtyhen ose zëvendësohen disa prej uljeve drastike të shpenzimeve.

Disa senatorë kanë shprehur mbështetjen për planin. Në takimin në Shtëpinë e Bardhë ishin të pranishëm kreu demokrat i Senatit, Herri Rid, përfaqësuesi i republikanëve, Mic Mek Konell, republikani Xhon Bejner, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, kryetarja e pakicës demokrate, Nensi Pelozi, zv-presidenti Xho Bajden dhe Sekretari i Thesarit, Timoti Gajtner.

Republikanët dhe demokratët kanë vetëm katër ditë kohë për të arritur një marrëveshje. Gremina fiskale do të thotë mbi 600 miliardë dollarë rritje taksash dhe ulje drastike të shpenzimeve, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 Janar, duke prekur njerëzit në të gjithë nivelet e të ardhurave si dhe shumë biznese, nëse Kongresi nuk miraton legjislacionin e ri.

Të dy palët, si demokratët dhe republikanët, duhet të arrijnë kompromisin për të lëvizur nga llogoret, që mbajnë prej kohësh. Javën e kaluar, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejner, tërhoqi “planin B”, një ofertë për kompromis, kur u bë e qartë se shumë prej konservatorëve nuk do ta mbështesnin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA