Tifozët e Juventusit mund të qëndrojnë të qetë, pasi porta e skuadrës së tyre do të qëndrojë në duar të besuara edhe për disa vite.
Këtë e deklaroi 34-vjeçari Buffon, i cili i premtoi besnikëri të përjetshme klubit, në të njëjtën kohë që shprehu sigurinë se ai vetë do të qëndrojë në nivelet më të larta edhe për të paktën 3-4 vjet të tjerë.
“Jam 34 vjeç, por në rolin e portierit, nuk e konsideroj veten si të vjetër, por të pjekur. E di sa jam në gjendje të bëj dhe kam bindjen që kam përpara edhe tre vjet të tjerë në nivelet më të larta në portë”, deklaroi kampioni i botës në 2006-n, në një intervistë dedikuar të ardhmes së tij në “Sport Mediaset”.
I pyetur për vitin 2012, ai komentoi: “Ishte një vit i mbushur me arritje, si tek kombëtarja, ashtu edhe tek Juventusi. Gjithashtu edhe në jetën time personale. 2012-n do ta mbaj mend për shumë kohë. Mbi të gjitha, ishte e pabesueshme se si pas dy vendesh të shtata radhazi në kampionat, arritëm të fitonim titullin pa pësuar asnjë humbje, në atë mënyrë të pabesueshme”.
Top Channel