Studentja e përdhunuar nga një grup agresorësh në një autobus, në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, ka ndërruar jetë në një spital të Singaporit, bënë të ditur doktorët.
“Pacientja ndërroi jetë më 04:45 me orën lokale, të datës 29 dhjetor 2012”, njoftuan zyrtarë të spitalit. “Familja e pacientes ka qenë pranë saj”, shkruhej më tej.
23-vjeçarja mbërriti në Singapor të enjten, pasi i ishte nënshtruar 3 operacioneve në spitalin e New Delhi-t. Sulmi, në fillim të këtij muaji, shkaktoi protesta të dhunshme publike në Indi, të cilat lanë edhe një oficer policie të vdekur. 6 persona janë arrestuar dhe 2 oficerë policie janë pezulluar nga detyra, pas sulmit të 16 dhjetorit.
“Pacientja ishte në kushte ekstremisht kritike për jetën, që kur u shtrua në spitalin ‘Mount Elizabeth’”, thuhej në deklaratën e shefit ekzekutiv të spitalit, Kelvin Loh. “Ajo vuante nga probleme të ndryshme të organeve jetësore, pas dëmtimeve serioze në trupin e saj dhe në tru. Ajo ishte tepër kurajoze, duke luftuar për jetën deri në momentet e fundit kundër parashikimeve, por trauma në trupin e saj ishte shumë e rëndë për t’u kaluar”, shpjegohej në deklaratën e dhënë. “Ne jemi të përulur nga privilegji për të qenë të ngarkuar për përkujdesjen ndaj saj në momentet e fundit”, tha Loh.
Një ekip prej 8 specialistësh u përpoqën ta mbanin pacienten në kushte të qendrueshme, por shëndeti i saj sa vinte e përkeqësohej gjatë këtyre 2 ditëve, që ndodhej e shtruar në “Mount Elizabeth”.
Zyrtarë të Komisionit të Lartë të Indisë kanë qenë gjithashtu prezent, kur pacientja ndërroi jetë. Ministri i Brendshëm i Indisë tha se qeveria vendosi ta dërgonte viktimën përtej detit, pas rekomandimeve të doktorëve të saj.
Top Channel