Shuhet gjenerali që drejtoi Luftën e Gjirit

28/12/2012 00:00

Gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Norman Schwarzkopf, që drejtoi trupat në Luftën e Gjirit në vitin 1991, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Gjenerali, i njohur ndryshe me pseudonimin “Norman Stuhija”, ishte komandant i forcave të koalicionit në Luftën e parë të Gjirit, që detyroi trupat e liderit iraken Saddam Hussein që të dilnin nga Kuvaiti.

Ish-presidenti amerikan George H W Bush e përshkroi gjeneralin Schwarzkopf si “një nga liderët më të mëdhenj ushtarakë të gjeneratës së tij”.

Ushtaraku i lartë e kaloi pensionin e tij në Tampa të Floridës, ku kishte shërbyer edhe në kuadër të detyrës së tij të fundit si kryekomandant i Komandës Qendrore Amerikane.

Suksesi i tij në ushtri e bëri atë një nga gjeneralët më të famshëm të kohës moderne, edhe pse disa e kritikuan për negociatat e armëpushimit, që i lejuan Saddam Hussein të qëndronte në pushtet.

Presidenti Bush, që drejtonte Shtëpinë e Bardhë gjatë Luftës së Gjirit, tha se vajton për humbjen e gjeneralit, që sipas tij ishte një ndër ushtarakët më të mëdhenj.

Zoti Bush e bëri deklaratën e tij nga një spital në Huston të Teksasit, ku ndodhet në terapi intensive për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Po ashtu, senatori republikan John McCain, në një mesazh në Twitter, e cilësoi gjeneralin Schwarzkopf si “një nga heronjtë më të mëdhenj të Amerikës”. “Ne e falenderojmë atë për shërbimin e kryer”, tha McCain.

Edhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta i bëri tributet e tij gjeneralit, duke thënë se, shërbimi i tij 35-vjeçar ka lënë një gjurmë të fortë në historinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB