16 persona janë raportuar të vdekur nga stuhia e rëndë e dëborës, që po i drejtohet verilindjes së SHBA-ve, pasi ndërpreu Krishtlindjen në zonën qendrore. Disa shtete në New England janë pushtuar nga reshje të dendura dëbore, teksa trashësia e saj në Massachusetts i ka kaluar 30 cm, sipas zyrtarëve të motit.
Disa fluturime janë ulur, por janë raportuar incidente rrugore, ndërkohë që stuhia kaloi përmes qendrës së kontinentit amerikan. U raportuan gjithashtu 34 tornado në zonat jugore, gjatë ditës së Krishtlindjes.
Tashmë stuhia i është drejtuar veriut të New England, nga pasditja e së enjtes. Reshje të dendura të borës janë raportuar gjithashtu edhe në pjesën lindore të Kanadasë. Lebanon, Maine raporton 30 cm dëborë, ndërsa mbi 45 cm priten në këtë shtet dhe ato fqinje të Vermont-it dhe New Hampshire.
Në Coudersport, Pennsylvania, ku stuhia është larguar tashmë, Shërbimi Kombëtar i Motit ka raportuar 38 cm borë. Qindra mijëra njerëz raportohen të kenë mbetur pa energji elektrike, përfshi 200 mijë njerëz në Arkansas dhe Alabama, ku akulli dhe 25 cm dëborë ngrinë telat elektrikë, duke i këputur ato.
Të vdekur nga stuhia janë raportuar në New York, Kentucky, Ohio, Indiana, Arkansas, Oklahoma, Texas, Louisiana, Pennsylvania dhe Virginia, sipas AP.
Pemët e rëna kanë marrë jetët e dy personave në Texas dhe Louisiana. Një burrë në New York është vrarë, pasi automjeti i tij rrëshqiti në rrugën e akullt, teksa një adoleshent në Ohio ndërroi jetë, pasi humbi kontrollin e makinës së tij, duke u përplasur me makinën borë-pastruese, që po vinte në drejtim të kundërt me të.
Top Channel