Monti sfidon Berluskonin

28/12/2012 00:00

Kryeministri italian në ikje, Mario Monti do të jetë kandidati i një koalicioni të partive të qendrës në zgjedhjet e muajit shkurt.

Ky është vendimi i marrë pas katër orësh bisedimesh mes tij dhe liderëve të partive italiane të qendrës ku mes të cilave është arritur edhe marrëveshja që Monti të jetë figura kryesore ku do të bazohet fushata e koalicionit.

“Një formacion i ri politik lindi”, tha Monti. Ai udhëhoqi Italinë për 13 muaj me radhë dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e tij vlerësohen si shpëtimtare për Italinë në kohën e krizës financiare. Por mbështetja për qeverinë e tij u rrëzua në fillim të këtij muaji me vendimin e Berluskonit për të rikandiduar për herë të gjashtë për postin e kryeministrit.

Problemi i vetëm për Montin në këtë sipërmarrje politike është se ai e ka të pamundur të kandidojë vetë në zgjedhje për shkak të titullit “Senator të Përjetshëm” që mban, por megjithatë kjo nuk e pengon atë në fushatën elektorale.

Sondazhet e deritanishme nxjerrin favoritë të majtët, por me shumë gjasa përqindjet e këtyre anketave do të ndryshojnë shumë pas vendimit të Montit për të kandiduar në zgjedhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB