Andres Iniesta, në një intervistë për ‘RAC1’, theksoi se cikli fitues i Barcelonës nuk përfundoi sezonin e kaluar, kur katalanasit u mundën nga Real Madrid në kampionatin spanjoll dhe nga Chelsea në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
“Kemi kaluar vite shumë të suksesshme dhe cikli do të vazhdojë. Një cikël përfundon kur kalojnë disa vite pa tituj. Sezonin e kaluar kemi fituar katër tituj, por njerëzit nuk i mbajnë mend sepse kampionati dhe Championsi kanë më shumë rëndësi. Gjithsesi, cikli i Barcelonës do të zgjasë edhe për disa vite të tjera”, theksoi mesfushori spanjoll.
Në lidhje me situatën tek Real Madrid, Iniesta tha: “Kështu e ka futbolli, kur dikush qesh, tjetri do të qajë.”
Më tej, futbollisti spanjoll tregoi se si u prit lajmi i sëmundjes së Tito Vilanovës në dhomat e zhveshjes: “Ishte një shok sepse po dëgjonim sërish të njëjtat fjalë si një vit më parë, por ajo që ndodhi na jep edhe më shumë forcë.”
Top Channel