Deklarimi i burimit më i rëndësishëm se ai i të ardhurave

28/12/2012 00:00

Arben Manaj – Rrjedha e retorikës së panevojshme, në rastin e publikimit
të të ardhurave të fëmijëve të Kryeministrit, bën me turp të qenit
pjesë e kontinentit jo vetëm reagimtarët, por edhe nxjerr në pah shumë
prapështi dhe mentalitete totalisht të papërputhshme me mënyrën sesi
mendojnë dhe zbatojnë ligjet europianët, kryesisht ata veriorë në vendet
e tyre.

Çështja është shumë e thjeshtë në pamje të parë. Nëse je i ndershëm dhe i ke fituar me djersën e ballit tënd dhe jo nga influencat e pjesëtarëve të familjes biologjike ose politike, siç dyshohet jo pa të drejtë në rastin e fëmijëve të Kryeministrit, gjëja më normale do të ishte deklarimi i burimit të fitimit dhe dhënia e të gjitha të dhënave dhe evidencës që do të konfirmonte bindshëm fitimin e realizuar në kushtet e ekonomisë së tregut të vlerave në këtë rast, për të cilin kanë të drejtë të fitojnë ndershmërisht edhe fëmijët e Kryeministrit edhe të “plebeut”.

Të paktën kështu veprohet në Perëndim nga të gjithë shtetasit, që deklarojnë jo vetëm të ardhurat, por edhe burimin e tyre. Këtë e bëjnë jo vetëm në fund të çdo viti financiar, kur deklaron të ardhurat dhe llogarit taksat, por edhe nëse do të marrësh një kredi të mirëfilltë bankare ose imobilare.

Madje për këtë të fundit të kërkojnë edhe nënshkrimin e një deklarate për të mundësuar autoritetet, për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me pastrim parash apo jo. Kështu veprohet në Perëndim dhe kështu do duhet të veprohet edhe në Shqipëri, e cila ëndërron të aderohet institucionalisht në Europë.

Kjo madje përbën një kërkesë plus, nisur nga dyshimet dhe shqetësimet për korrupsionin galopant në vend dhe në radhët e pushtetarëve dhe familjarëve të tyre, sot dhe në të shkruarën, për hir të së vërtetës.

Është në interesin e familjarëve të Kryeministrit Berisha të pastrojnë emrin e tyre nga dyshimet që në këtë rast vijnë nga opozita.

Tek anatemimi që bën opozita nuk ka asgjë të keqe, e cila ka edhe riskun e dështimit të saj, në rast se bien dhe zhvërtetohen në mënyrë të pakundërshtueshme dhe jashtë çdo dyshimi pretendimet që ajo ngre.

Ky deklarim i burimit të të ardhurave marramendëse, jo vetëm për një vend si Shqipëria, por edhe më gjerë, lipset të bëhet edhe si një domosdoshmëri politike, aq më tepër në prag zgjedhjesh.

Njeriu më i interesuar, që do të duhet ta bënte këtë është babai-kryeministër dhe partia e tij bijë, i cili do të duhet të gëzohej nga kjo dhuratë, nëse beson se gjithçka është e ligjshme në fitimet e fëmijëve të kreut të qeverisë.

Por kjo çuditërisht nuk po ndodh për fat të keq akoma. Përkundrazi retorika ka degjeneruar në një gjuhë kërcënimesh me nxjerrje në gjyq, dhe përbaltje personale opozitarësh që me akuzat dhe banalitetin që hedh në tregun mediatik janë të denja për një parti në opozitë si PD-ja dhe jo më një parti në pushtet, me të gjitha levat dhe institucionet e kontrolluara prej saj, e cila ka pasur boll kohë në pushtet për të vërtetuar akuzat për “mamutët e korrupsionit”, që shqiptarët i dëgjojnë që kur ajo ishte në opozitë e që sot e kësaj dite mbesin ende të paverifikuara si të atilla.

Burimi i të ardhurave dhe verifikimi i tyre jashtë çdo dyshimi është më imperativ dhe bëhet më i nevojshëm politikisht dhe nuk është se është praktikë e panjohur.

Ka precedentë të njohur në shumicën e vendeve me demokraci të avancuar për hetime sa herë që për fëmijë apo familjarë kryeministrash dhe ministrash, apo edhe vetë ata, ekzistojnë dyshime për fitime të pajustifikuara, siç rezulton në pamje të parë nga deklarimi i fëmijëve të Kryeministrit Berisha.

Kështu ka ndodhur edhe me djalin e ish-kryeministres britanike Margaret Theçër dhe kështu është duke ndodhur edhe me ish-presidentin francez Sarkozi, ndaj të cilëve media dhe institucionet e specializuara investigojnë dhe hetojnë zyrtarisht.

Dhe pikërisht kjo është duke mos ndodhur në Shqipërinë postkomuniste.

Kjo kategori personash, jo vetëm duhet të jenë të barabartë përpara ligjit, por edhe do duhet të mirëkuptojnë edhe një lloj ekspozimi më të madh se normalja ndaj publikut dhe interesit të tij, siç ndodh me të gjithë ata që në zhargon quhen VIP-a dhe për më tepër kur pretendojnë se janë VIP-a ndryshe (Very Impoverished People).

Kjo është ajo për të cilën do të duhet të prononcohet edhe Prokuroria e Përgjithshme, aq më tepër që ka një person që ka shumë informacion si Kryeprokurori Llalla, i cili ka qenë titullari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe që parimisht e lehtëson hetimin, nëse ai dhe institucioni i tij, siç kanë deklaruar se kanë si prioritet luftën kundër korrupsionit…

E nëse jo, ky është një problem tjetër dhe rekordi i parë i dështimit të tij në postin e ri.

Deklarimi i pasurimit dhe të të ardhurave, bashkë me evidencat mbështetëse, që në Perëndim duhet të ruhen nga deklaruesi për minimalisht pesë vjet, nëse do të bëhej për fëmijët e Kryeministrit dhe të kryeopozitarit, ministrave në pushtet dhe atyre hije, dhe vetë atyre si të tillë, e deri më poshtë, do të ishte një shembull për rritjen e besueshmërisë dhe duart e pastra të atyre që drejtojnë ose aspirojnë të drejtojnë këtë vend.

Deklarimi i të ardhurave është një praktikë jo dhe aq fort e stabilizuar, për të mos thënë embrionale në Shqipëri dhe Shqipëria sot më shumë i ngjan Greqisë në këtë aspekt sesa Francës apo Anglisë.

Dhe si e tillë, kjo praktikë e bën qesharake retorikën për bllokim integrimesh kur integrimi duhet të fillojë nga shtëpia jote, nga shtëpia e shtetarëve dhe idealisht nga ajo e Kryeministrit dhe kryeopozitarit, që të dëshmojnë se janë europianë jo vetëm në propagandë, por edhe praktikë.

Nga deklarimi i burimit dhe të ardhurave të ndershme dhe të fituara me djersën e ballit dhe të aftësive personale dhe jo nga influenca dhe pushteti i nënës apo babait, fiton djali dhe vajza e babait, por edhe babai i djalit apo vajzës së dyshuar, fitojnë dhe mësojnë shqiptarët e Kryeministrit, por edhe Kryeministri i shqiptarëve, fiton Shqipëria europiane dhe ka një arsye më shumë Europa ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’i pranuar si të barabartë mes tyre në mentalitet dhe në përditshmërinë e një shtetasi të mirëfilltë europian.

Mosdeklarimi i burimit për më tepër i lë hapësirë forcimit të dyshimit për vërtetësinë e akuzave që pushojnë së qeni më vetëm legjenda urbane apo korrupsion i perceptuar në një vend gjashtë muaj larg testit për rotacion politik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA